PDK konfirmon pjesëmarrjen në takimin me Kurtin, kërkon plan konkret për formimin e institucioneve

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të dëgjuar propozimet e tij lidhur me tejkalimin e krizës institucionale.

Në mbledhjen e mbajtur të enjten, Kryesia e PDK-së shqyrtoi certifikimin e rezultateve zgjedhore dhe ftesën e dërguar nga Kurti duke vlerësuar se çdo iniciativë që synon funksionalizimin e institucioneve të Kosovës duhet të trajtohet me seriozitet.

Sipas njoftimit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës dhe do të marrë pjesë në takimin e nesërm për të dëgjuar zgjidhjet konkrete që ofron Kurti për krijimin e institucioneve të reja.

PDK rithekson se përgjegjësia kushtetuese dhe politike për formimin e institucioneve i takon partisë fituese të zgjedhjeve dhe pret që Kurti të paraqesë një plan të qartë për sigurimin e shumicës parlamentare.

Partia thekson se hapat e mëtejmë do të varen nga serioziteti i procesit, respektimi i rendit kushtetues dhe ofrimi i zgjidhjeve konkrete në interes të Republikës së Kosovës duke shtuar se mbetet e palëkundur në qëndrimet e saj politike dhe do të vazhdojë të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe interesin qytetar. /Kosova.info/


Go to TOP