LDK pranon ftesën e Kurtit për takim
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka pranuar ftesën për takim nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Abdixhiku ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të angazhohet në procesin e krijimit të institucioneve të reja të Kosovës.
“Shprehim gatishmëri që LDK-ja të jetë pjesë aktive drejt formimit të institucioneve të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka bërë të ditur se ftesa për takim nga Kurti është pranuar dhe se takimi do të zhvillohet në formatin një me një.
“Sot kam marrë një letër ftesë për takim me kryetarin e VV-së në formatin një plus një, do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese”, ka deklaruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka thënë se pas këtij takimi synon të zhvillojë biseda edhe me përfaqësuesit e partive të tjera politike.
“Le të jetë një takim i parë, do të provojë të takohem me liderë të tjerë të PDK-së e AAK-së për të kuptuar pozicionet e tyre”, ka theksuar ai.
Duke folur për deklaratat për mundësinë e mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të LDK-së, Abdixhiku ka thënë se deri tani në parti nuk është dorëzuar asnjë kërkesë e tillë.
“Në LDK nuk është deponuar asnjë nënshkrim deri më tani. Proceduralisht, janë të lirë një e treta e delegatëve të Kuvendit, kurdo që duan, sa herë që duan, t’i deponojnë nënshkrimet për thirrje të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka shtuar se zgjedhjet e rregullta të partisë duhet të mbahen sipas afateve statutare.
“Përmbajtësisht, për ne dhe për kryesinë e LDK-së, zgjedhjet e rregullta të LDK-së mbahen në afatet e rregullta. Ato janë vitin e ardhshëm, nuk ka distancë të largët kohore dhe, për më tepër, përmbajtësisht, LDK-ja ka dalë prej një Kuvendi më 31 janar”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku ka thënë se një parti serioze duhet të respektojë rregullat dhe statutin, duke u zotuar se çdo kërkesë e paraqitur në përputhje me procedurat do të trajtohet.
“Dhe një parti serioze nuk matet me sa herë një pakicë, çfarëdo qoftë ajo, deklaron mbajtje Kuvendi, por sa e respekton rregulloren dhe statutin. Gjithsesi, zotohem këtu para jush dhe para të gjithë të tjerëve që sa herë që deponohet ndonjë nënshkrim, çfarëdo qoftë ai, do ta thërras menjëherë, sipas rregullave statutare, edhe Kuvendin në fjalë”, ka theksuar Abdixhiku.
