Pacientët ankohen për mungesë të personelit shëndetësor në QKMF

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare qytetarët nuk po i marrin të gjitha shërbimet. Mjekët, si dermatologët, pediatrit e internistët, sipas një udhëzimi administrativ, duhet të zëvendësohen me mjekë familjarë.

Për problemet shëndetësore me të cilat ballafaqohen kohë pas kohe qytetarët, nuk po mund t’i zgjidhin në Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare, pasi aty nuk ka specialistë të fushave adekuate që t’i trajtojë.

Për problemet dermatologjike në QKMF nuk ka dermatolog. Zv/drejtori i kësaj qendre tha se të gjithë mjekët specialistë zëvendësohen me mjekët familjarë. 

”Kujdesi parësor sipas udhëzimit administrativ për KPSh, dermatologët, pediatrat, internistat të cilët kanë punuar në QKMF zëvendësohen me mjek familjar”, tha për RTK Rrezart Halili, zëvendës-drejtor në QKMF.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, tha se përveç mjekut familjar, mjekut specialist të biokimisë dhe radiologjisë, mjekët tjerë nuk kanë të drejtë të punojnë në shërbimin parësor.

”Faktikisht sipas udhëzimit administrative, përveç mjekut familjar, specialist të biokimisë dhe radiologjisë, mjekët tjerë nuk kanë të drejtë të punojnë në kujdesin parësor”, tha drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës.

Kjo qendër gjithashtu po përballet me mungesë të punëtorëve shëndetësorë pasi që numri aktual i mjekëve dhe infermierëve është i pamjaftueshëm për të ofruar shërbime shëndetësore për të gjithë qytetarët.

Go to TOP