Osmani takon Kaja Kallas në Samitin e EPC: Kosova është gati për hapin e radhës drejt BE-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në kuadër të Samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) që po mbahet në Tiranë.

Përmes një postimi, Presidentja Osmani u shpreh se ishte kënaqësi të takonte Kallasin, të cilën e quajti një mbështetëse të kamotshme për një Evropë të sigurt dhe të bashkuar. Ajo bëri të ditur se takimi u zhvillua në Tiranë për shkak se gjatë vizitës së paralajmëruar të Kallas në Kosovë, ajo do të jetë në një vizitë shtetërore jashtë vendit.

“Kosova është e gatshme për hapin e radhës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Është koha që BE t’i përgjigjet këtij momenti me guxim, qartësi dhe vendosmëri – tipare që e karakterizojnë lidershipin e Përfaqësueses së Lartë Kallas,” shkroi Osmani. /Kosova.info/


Go to TOP