Osmani takohet me homologen sllovene: Mirënjohje për mbështetjen e Sllovenisë ndaj rrugës euroatlantike të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Lubjanë me Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, në kuadër të vizitës së saj zyrtare dhe pjesëmarrjes në ceremoninë e ndarjes së Çmimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s.

Osmani tha se takimi me presidenten sllovene ishte “një diskutim i përzemërt mes miqsh” duke theksuar miqësinë e ngushtë ndërmjet dy shteteve dhe mbështetjen e vazhdueshme që Sllovenia i ka dhënë Kosovës në proceset e integrimit euroatlantik.

“Një diskutim si gjithnjë i përzemërt me miken e Kosovës, Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, në Lubjanë. Mirënjohja e popullit të Kosovës është e thellë për mbështetjen e Sllovenisë për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë”, ka shkruar Osmani.

Gjatë takimit, dy presidenteve thuhet se kanë diskutuar për bashkëpunimin bilateral, forcimin e marrëdhënieve politike e ekonomike, si dhe për zhvillimet e fundit në rajon.

Sllovenia mbetet një nga mbështetëset më të forta të Kosovës në proceset ndërkombëtare dhe në përpjekjet e saj për anëtarësim në organizatat euroatlantike. /Kosova.info/


Go to TOP