Osmani nga Krusha: Gratë që e kthyen dhimbjen në forcë, krenaria e Kosovës

Ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot Krushën, ku ka vlerësuar rolin dhe qëndresën e grave të kësaj zone duke i cilësuar ato si simbol të forcës dhe dinjitetit në Kosovë.

Ajo theksoi se zëri i grave të Krushës ka jehuar në arenën ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Sigurimit në New York dhe Parlamentin Evropian duke prezantuar të vërtetën e Kosovës para botës.

“Sot, si shumë herë gjatë mandatit tim, jam në Krushë mes tyre, ku ndjeva sërish këtë jehonë të fortë. Në sytë dhe duart e tyre jeton dhimbja, por edhe forca për të vazhduar përpara”, ka deklaruar Osmani.

Presidentja vlerësoi veçanërisht kontributin e Fahrijes, e cila, sipas saj, me guximin e saj hapi rrugën për shumë gra të tjera duke u bërë simbol i qëndresës dhe fuqizimit të grave në Kosovë.

Ajo shtoi se institucionet do të vazhdojnë të sigurohen që historia e grave të Krushës të dëgjohet dhe të shërbejë si frymëzim për brezat e ardhshëm.

“Ju jeni shtylla e shoqërisë sonë dhe krenaria më e madhe e Kosovës. Jemi bashkë dje, sot dhe nesër”, përfundoi Osmani. /Kosova.info/


Go to TOP