Organizatorët e`Mirëdita, dobar dan`: Shteti serb u dorëzua para huliganëve
Në Beograd ka përfunduar protesta e grupeve ekstremiste kundër festivalit “Mirëdita, dobar dan”. Deri sa MPB ka ndaluar festivalin, shoqëria civile dhe partitë proevropiane kërkojnë që festivali të mbahet, duke kritikuar institucionet shtetërore për shkeljet ligjore.
Shteti serb është dorëzuar para huliganëve dhe ekstremistëve. Në këtë mënyrë organizatat e shoqërisë civile dhe partitë proevropiane të opozitës kanë reaguar duke dënuar ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, dhe kërkuan tërheqjen e këtij vendimi.
Ata kanë vlerësuar se institucionet janë të obliguara që të gjithë pjesëmarrësve të festivalit t’u ofrojnë lirinë dhe sigurinë gjatë festivalit.
Ministri i Puneve të Brendshme, Ivica Daçiq, njoftoi se policia ka lëshuar një urdhër për ndalimin e festivalit “për shkak të rrezikimit të sigurisë së njerëzve dhe pronës, si dhe rrezikut të prishjes së rendit dhe qetësisë publike në një shkallë më të madhe”.
Ne reagimin e Nismës Rinore për të Drejtat e njeriut, Iniciativat qytetare dhe Integra nga Prishtina, si organizatoret e festivalit, shteti i Serbisë ka ndaluar bashkëpunimin e artistëve mes Serbisë dhe Kosovës.
Sipas tyre, me ndalimin e festivalit është shkelur Kushtetuta e Serbisë, konkretisht liria e shprehjes, lëvizjes, dhe liria e tubimit. Në reagim thuhet se në vend që të garantonte sigurinë e qytetarëve të cilat kanë mesazhet e bashkëpunimit dhe paqes, shteti serb doli në anën e huliganëve.
“Shprehim keqardhje të madhe dhe shqetësim të madh për gjendjen e shoqërisë në të cilën ka dhunë, urrejtje dhe intolerancë, një model sjelljeje që zyrtarët dhe institucionet nuk e njohin si të diskutueshëm dhe të rrezikshëm, ndërsa qytetarët që mbrojnë paqen dhe pajtimin janë të sanksionuar”, thuhet ne reagimin.
Festivali “Miredita, dobar dan” ishte planifikuar të zhvillohej nga sot deri më 29 qershor. Ne program ishin shfaqje, koncerte, promovimi i librit, filma nga Kosova, si dhe debate për çështjen e normalizimit te marrëdhënieve. Mirepo, gjate ditës në sheshin Dorçoll, ku duhej të mbahej festivali, pjesëtarët e grupeve ekstremiste, tifozë dhe huliganë kanë penguan hyrjen.
Me flamujt e Serbisë dhe duke kënduar këngë për Kosovën, ata kanë qëndruar tërë ditën para hyrjes së “Dorcoll Platz”, një vend i famshëm ku po mbahen ngjarje kulturore. Gjatë mbrëmjes, të grumbulluarit e “festuan” ndalimin e mbajtjes së festivalit me fishekzjarrë.
Policia ka bllokuar rrugën gjatë ditës.
Në Serbi prej disa javësh po zhvillohet një fushatë kundër festivalit nga përfaqësues të institucioneve shtetërore, me përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe promovimin e jotolerancës, që ka prodhuar edhe kërcënimet ndaj organizatorëve.
Partitë proevropiane vlerësuan se festivali është një ngjarje e rëndësishme që promovon paqen dhe shkëmbimin kulturor midis Serbisë dhe Kosovës.
“Është e pakuptueshme që 25 vjet pas konfliktit, Serbia ende nuk është në gjendje të pranojë idetë progresive të tolerancës për diskutim, debat dhe mendime të ndryshme. Ky ndalim është një përpjekje themelore për të heshtur zërat disidentë, të cilët gjatë historisë kanë ardhur kryesisht nga fusha e artit dhe kulturës, zëra që janë kyç për përparimin dhe pajtimin shoqëror”, thuhet ne reagimin e partisë “Fronti i Gjelbër i Majtë”.
Partia “Lëvizja e qytetarëve të lirë” ka kërkuar që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ivica Daçiq të tërheqin urgjentisht urdhrin e turpshëm për ndalimin e festivalit dhe të mundësojnë mbajtjen e tij dhe garantimin e sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve dhe vizitorëve.
“Liria e tubimit është e drejtë kushtetuese e të gjithë qytetarëve serbë, dhe duke urdhëruar ndalimin e festivalit Mirëdita, dobar dan, Ivica Daçiq, si përfaqësues i regjimit SNS-SPS, tregon se vendi rreshtohet me nacionalistët ekstremë, qe janë kundër pajtimit rajonal”, thuhet ne reagimin.