Organizatat kërkojnë dinjitet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës
Organizatat e angazhuara në përkrahjen dhe fuqizimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, kanë reaguar ashpër ndaj një diskursi publik që e konsiderojnë poshtërues, denigrues dhe të papranueshëm ndaj viktimave. Në një komunikatë të përbashkët, ato kanë shprehur shqetësim për përdorimin e një gjuhe që, sipas tyre, cenon dinjitetin e të mbijetuarve.
Organizatat pjesëmarrëse të Platformës “Bëhu Zëri Im” (QKRMT, Medica Gjakova, QPDG dhe Medica Kosova) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës kanë reaguar me indinjatë të thellë dhe shqetësim të sinqertë ndaj deklaratave të analistëve Valon Syla dhe Ilir Mirena, të bëra më 2 qershor 2025 në emisionin “Pressing” në televizionin T7.
“Fjalët që u thanë në atë studio nuk ishin thjesht deklarata individuale, ato ishin sulme të drejtpërdrejta ndaj dinjitetit të mijëra viktimave të luftës, në veçanti atyre që mbijetuan dhunën seksuale,” theksojnë organizatat në komunikatë.
Sipas tyre, gjuha e përdorur në emision ka qenë poshtëruese, fyese dhe denigruese, duke hedhur baltë mbi kujtimin e viktimave dhe duke thelluar ndarjet në shoqëri. “Në këtë mënyrë, mbrohet krimi dhe përforcohet pandëshkueshmëria,” thuhet tutje.
Organizatat nënvizojnë se krimet e luftës nuk kanë afat dhe trauma nuk skadon, duke e konsideruar këtë lloj diskursi si një “dhunim të dytë për të mbijetuarit”, të cilët prej vitesh kërkojnë drejtësi dhe njohje.
“Një popull që nuk i njeh plagët e veta dhe që lejon gjuhë publike që i përqesh ato, është një popull që rrezikon të humbasë edhe vetë ndërgjegjen,” thuhet në reagim.
Përmes komunikatës, organizatat kanë disa kërkesa për të gjitha mediat dhe gazetarët:
“Mos i jepni hapësirë zërit që fyen, mohon dhe poshtëron viktimat.”
“Mos u bëni bashkëpunëtorë në nxitjen e urrejtjes dhe shtypjen e kujtesës kolektive.”
“Bëhuni zëri i drejtësisë, i ndjeshmërisë dhe i së vërtetës.” /Kosova.info/
