ORCA: UP-ja shënon progres të jashtëzakonshëm në publikimin shkencor

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka publikuar të martën raportin “Integriteti Akademik dhe Publikimi Shkencor në Universitetin e Prishtinës”, ku theksohet se Universiteti i Prishtinës ka shënuar progres të jashtëzakonshëm në fushën e publikimeve shkencore gjatë shtatë viteve të fundit.

Sipas raportit, nga viti 2017 deri në fund të vitit 2024 janë regjistruar 3,910 punime shkencore, krahasuar me vetëm 1,310 punime të publikuara nga viti 1988 deri në vitin 2017. Kjo nënkupton se 66 për qind e të gjitha punimeve shkencore të stafit akademik të UP-së janë realizuar në shtatëvjeçarin e fundit.

Drejtori ekzekutiv i ORCA-s, Dibran Hoxha, tha se ky zhvillim tregon për një transformim të madh në prodhimin shkencor të Universitetit të Prishtinës.

“Prej vitit 1988, kur është evidentuar publikimi i parë shkencor në UP, deri në vitin 2017 kanë qenë 1,310 punime. Ndërkaq, vetëm nga viti 2017 deri në fund të vitit 2024 janë evidentuar 2,600 punime të tjera. Ky është sukses i jashtëzakonshëm i institucionit, partnerëve dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi,” deklaroi Hoxha.

Ai bëri të ditur se Fakulteti i Shkencave Matematike kryeson listën me 1,085 punime për 101 staf akademik duke arritur një mesatare prej 10.7 punimesh për profesor. Fakulteti i Bujqësisë renditet i dyti, ndërsa fakultetet e tjera kanë përqindje më të ulëta të publikimeve.

Po ashtu, sipas Hoxhës, 74 për qind e stafit akademik të UP-së “justifikojnë plotësisht titujt akademikë” që mbajnë, një tregues i qartë i përmirësimit të cilësisë dhe integritetit shkencor.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, vlerësoi këtë rezultat si sukses të përbashkët të gjithë akterëve të përfshirë në sistemin e arsimit të lartë.

“Statistikat që i raportoni tregojnë për një sukses të përbashkët. Universiteti i Prishtinës qëndron më mirë jo vetëm krahasuar me universitetet publike në Kosovë, por edhe me universitetet e tjera shqiptare në rajon. Jemi universiteti më i ranguar në indekset ndërkombëtare,” tha Hajrullahu.

Ndërkohë, drejtori i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, Naim Gashi, theksoi se Universiteti i Prishtinës ka shënuar një rritje prej 55 për qind në justifikimin e titujve akademikë, krahasuar me vitin 2018.

“Në vitin 2018, vetëm 41 për qind e stafit arsyetonin titujt akademikë, ndërsa sot kjo shifër ka arritur në 74 për qind. Një rritje e tillë në vetëm gjashtë vite është arritje e madhe dhe dëshmi e përpjekjeve për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë,” theksoi Gashi.

Sipas të dhënave të ORCA-s, punimi i parë shkencor i stafit akademik të Universitetit të Prishtinës është evidentuar në vitin 1988 duke shënuar fillimin e kontributit të këtij institucioni në kërkimin shkencor ndërkombëtar. /Kosova.info/


Go to TOP