Oficerët ushtarakë ukrainas nuk presin asgjë nga samiti i Alaskës
Ndërsa sonte pritet samiti Trump-Putin në Alaska, komandantët ukrainas në vijën e parë të luftës thonë për CNN se kanë pritje të ulëta për takimin.
“Nuk pres ndonjë rezultat nga ky takim. Ata do të flasin, do të bien dakord për diçka, por nuk ka kuptim. Rusëve nuk mund t’u besohet. Ata premtojnë një gjë dhe bëjnë një tjetër”, tha oficeri i Forcave të Armatosura të Ukrainës Serhiy Tsehotskyi, i cili po shërben në Ukrainën lindore.
Tsehotskyi shprehu gjithashtu zhgënjimin që SHBA-të po bëjnë gjithçka për Putin në Alaskë, gjë që ai tha se zbulon se Trump e sheh udhëheqësin rus si legjitim dhe jo si “një kriminel lufte ose një vrasës”.
“Nuk ka kuptim të negociosh me Putin. Ne kemi negociuar me të për Donbasin për tetë vjet dhe nuk kemi arritur askund. Nuk shoh ndonjë dëshirë nga ana e tyre për t’i dhënë fund luftës, duke pasur parasysh atë që po ndodh në vijën e frontit. Tani për tani, ata po i hedhin njerëzit e tyre në mullirin e mishit vetëm për të arritur edhe rezultatin më të vogël. Po na mbushin me kufoma për të treguar se kanë sukses në vijën e frontit përpara negociatave.”
Komandanti i batalionit të sulmit Oleksandr Nastenko thotë se “Putin nuk është gati për kompromis”.
“Atij nuk i intereson situata ekonomike në vendin e tij apo humbjet. Dhe do të refuzojë çdo kompromis. Mendoj se ky takim nuk do të përfundojë në asgjë. Derisa njëri prej nesh të ndihet vërtet si pala humbëse, askush nuk do të bjerë dakord për asgjë.”
