Oda e Përmbaruesve Privat kundërshton deklaratat e ish-ministres Haxhiu: Shkarkimet nuk lidhen me rastin e Telekomit
Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të dhëna më 10 shtator 2025 në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, ku ajo tha se kishte shkarkuar dy përmbarues për shkak të veprimeve të tyre në lëndën e Telekomit të Kosovës.
Në reagimin e saj, Oda e cilëson këtë deklaratë si të pavërtetë dhe tendencioze duke theksuar se shkarkimet nuk kanë pasur lidhje me rastin e Telekomit, por me çështje të tjera që lidhen me kreditorë dhe debitorë të ndryshëm. “Për këto raste ekzistojnë vendime të Komisionit Disiplinor për shkarkim, mbi bazën e të cilave më pas është nxjerrë vendimi i Ministres për lirimin nga detyra,” thuhet në reagim.
Oda sqaron gjithashtu se inkasimi i shumave nga përmbaruesit nuk është bërë në mënyrë të paligjshme apo në shuma më të mëdha sesa detyrimet, por në përputhje me dokumentet përmbarimore dhe vendimet e gjykatave, të cilat kanë vepruar në bazë të mjeteve juridike të shfrytëzuara nga palët.
Sa i përket çështjes së Telekomit, Oda pranon se ka pasur suspendime të përmbaruesve, por thekson se ata janë shpallur jo përgjegjës nga Komisioni Disiplinor kompetent. “Kjo tregon se suspendimet kanë qenë të gabuara dhe të bazuara në një dispozitë ligjore arbitrare, e cila duhet të hiqet sa më parë, pasi lejon ndërhyrje politike në drejtësi dhe pengon trajtimin profesional të çështjeve disiplinore,” thuhet më tej në reagim.
Oda e Përmbaruesve Privat apelon që deklaratat publike të bëhen mbi baza faktike dhe ligjore duke paralajmëruar se dezinformatat cenojnë jo vetëm imazhin e institucionit, por edhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. /Kosova.info/
