Oda Amerikane kërkon respektim të plotë të ligjit: Askush nuk është mbi drejtësinë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka bërë thirrje për respektimin e plotë të sundimit të ligjit duke theksuar se një sistem i pavarur dhe i paanshëm gjyqësor është gurthemeli i qeverisjes demokratike, stabilitetit ekonomik dhe tërheqjes së investimeve të huaja.

Në një reagim publik, Oda Amerikane thekson se zbatimi konsekuent i normave ligjore është thelbësor për garantimin e integritetit institucional dhe besimit publik. Ajo rikujton se Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës parasheh që hetimet dhe ndjekjet penale duhet të zhvillohen në mënyrë të ligjshme dhe të drejtë para organeve kompetente, ndërsa çdo pengesë ndaj drejtësisë përbën shkelje serioze të ligjit.

“Respektimi i kornizës ligjore nuk është vetëm obligim kushtetues, por një parakusht për qeverisje të mirë dhe zhvillim ekonomik. Çdo ndërhyrje politike ose shpërfillje e procedurave ligjore cenon themelet demokratike dhe integritetin institucional të Kosovës”, thuhet në reagim.

Oda Amerikane i ka bërë thirrje të gjithë liderëve politikë dhe institucionalë që të bashkëpunojnë me autoritetet gjyqësore në hetimet e Prokurorisë Speciale lidhur me abuzimin e mundshëm të autoritetit në rastin e rezervave shtetërore.

“Lufta kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës është përgjegjësi e përbashkët që kërkon angazhim të palëkundur nga të gjitha institucionet dhe shoqëria civile”, thuhet më tej.

Në fund, Oda Amerikane nënvizon se progresi i Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit është kyç për reputacionin ndërkombëtar, tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik duke theksuar se asnjë individ nuk është mbi ligjin. /Kosova.info/


Go to TOP