OCTOPUS: Serbia nis skemën e financimit të serbëve në Kosovë, strategji për blerjen e votave për Listën Srpska
Instituti për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” ka publikuar një analizë të detajuar mbi ndërhyrjen e Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë, përmes një skeme financimi të serbëve lokalë. Sipas raportit, që nga 1 shkurti, Serbia pritet të nisë një fushatë financimi të prezantuar si ndihma sociale, por që në realitet ka për qëllim blerjen e votës për Listën Srpska.
Kjo strategji, e ideuar nga Beogradi që në shtator të vitit të kaluar, ka filluar të zbatohet gradualisht që nga nëntori 2024, pak ditë para sulmit terrorist mbi Ibër Lepenc. Tani, ajo ka hyrë në fazën e saj aktive, duke përfaqësuar një shembull të qartë të luftës hibride që Serbia përdor për të ndërhyrë në zgjedhjet e Kosovës.
Sipas Institutit, kjo taktikë është frymëzuar nga modelet ruse të ndërhyrjes zgjedhore, të përdorura në vende si Ukraina, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Në Kosovë, përpjekje të ngjashme janë bërë edhe në vitin 2021, por ndërhyrja institucionale atëherë i bëri ato të pasuksesshme.
Termi “Gjeopolitika e Zgjedhjeve”, i përdorur nga studiues të “OCTOPUS”, nënvizon manipulimin e proceseve demokratike për të kontrolluar ndikimin politik dhe gjeopolitik. Kjo përfshin financime të fshehta, propagandë dhe dezinformim, të cilat përkojnë me modelet ruse dhe ndikimet e saj në rajon.
Për më shumë detaje dhe analiza të tjera mbi këtë çështje, Instituti “OCTOPUS” fton lexuesit të vizitojnë faqen e tij zyrtare: www.octopusinstitute.org. /Kosova.info/
