OBSH-ja paralajmëron për përhapje të shpejtë të Omicronit

Varianti Omicron i koronavirusit po përhapet më shpejt se varianti Delta dhe po shkakton infeksione tek njerëzit tashmë të vaksinuar ose që janë shëruar nga sëmundja COVID-19, tha të hënën kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Shkencëtarja kryesore e OBSH-së, Soumya Swaminathan, shtoi se nuk do të ishte “e mençur” të konkludohej nga provat e hershme se Omicron ishte një variant më i butë se të mëparshmit.

Varianti po shmang me sukses disa përgjigje imune, tha ajo, që do të thotë se programet përforcuese që po zbatohen në shumë vende duhet të synohen drejt njerëzve me sistem imunitar më të dobët.

“Tani ka prova të qëndrueshme që Omicron po përhapet dukshëm më shpejt se varianti Delta”. tha në konferencë drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus. “Dhe ka më shumë gjasa që njerëzit e vaksinuar ose të rikuperuar nga COVID-19 të infektohen ose të riinfektohen”, tha Tedros.

Go to TOP