Numri i viktimave nga tërmeti në Turqi ka mbërritur në pothuajse 44 mijë
Numri i viktimave nga tërmeti në Turqi por që goditi rëndë edhe pjesën veriperëndimore të Sirisë ka mbërritur në pothuajse 44 mijë. Ndërkohë ekipet emergjente dhe ato të shpëtimit po punojnë për të pastruar gërmadhat por edhe po kërkojnë ndonjë të mbijetuari eventual.
Sirianët të cilët jetojnë në Turqi po kthehen në vendin e tyre pas tërmetit shkatërrimtar të javës së kaluar. Qeveria turke ka lejuar që sirianët nga zonat e prekura nga tërmeti e të cilët posedojnë letërnjoftime të largohen nga Turqia për një periudhë 6 mujore.
Disa nga të mbijetuarit e tërmetit po kthehen me qëllim që të bashkohen me familjarët e tyre me të cilët, disa prej tyre, nuk janë parë për shumë vjet.
Në Turqi jetojnë pothuajse 4 milion sirianë qëkur nisi lufta civile në vendin e tyre, 12 vjet më parë.
Rreth 1500 sirian thuhet se kanë humbur jetë në Turqi si pasojë e tërmetit.
Ndërkohë, ekipet e shpëtimit po punojnë për të gjetur ndonjë të mbijetuar eventual nën gërmadha.
Të premten, 11 ditë pas tërmetit, dy persona u nxorën të gjallë nga rrënojat në qytetin Antakya.
Në Turqi, numri i të vdekurve tashmë ka kaluar numrin 38 mijë duke e bërë tragjedinë më të madhe në historinë e këtij shteti. Në Siri, numri i të vdekurve ka mbërritur në 5800, shumica në pjesën veriperëndimore e cila kontrollohet nga kryengritësit. Konflikti në këtë vend ka komplikuar përpjekjet për ndihma në këtë vend.
Organizata e Kombeve të Bashkuara, të premten ka thënë se në pjesën veriperëndimore të Sirisë kanë kaluar më shumë se 140 kamionë me ndihma.
