Njohësit e sigurisë: Lista Serbe ka humbur legjitimitetin
Lista Serbe, sipas njohësve të sigurisë, ka humbur legjitimitetin e saj për ta përfaqësuar komunitetin serb, pasi në zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare ka shënuar një rënie prej 20-25% të votave. Kjo rënie lidhet me një vetëdijesim dhe revoltë të serbëve ndaj praktikave të Listës Serbe, të cilat përfshijnë blerje votash, kërcënime dhe shantazh, si dhe mobilizim të votuesve në mënyrë jodemokratike.
Për shkak të këtyre veprimeve dhe ndikimit të strukturave kriminale, Lista Serbe është parë si një faktor që përkeqëson jetën e komunitetit serb në Kosovë, duke humbur kështu besueshmërinë dhe legjitimitetin për ta përfaqësuar atë.
Rënie të legjitimitetit të Listës Serbe në Kosovë konstatojnë njohës të sigurisë, duke tërhequr një paralele mes rezultateve të procesit zgjedhor të vitit 2021 dhe 2025. Gurakuq Kuçi nënvizon se Lista Serbe ka bërë gjithçka vetëm e vetëm të përkeqësojë jetën e pakicës serbe në Kosovë, për të cilin komunitet pretendon se e përfaqëson.
Sipas Kuçit, Lista Serbe ka humbur legjitimitetin për të përfaqësuar pakicën serbe në Republikën e Kosovës.
“Në zgjedhjet lokale, por edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, kanë pasur një rënie, nëse e krahasojmë me vitin 2021 në vitin 2025, varësisht nga komuna, 20 deri në 25 përqind ka rënie të votës ndaj tyre. Kjo për shkak se serbët kanë filluar një lloj vetëdijesimi, revolte dhe një lloj çlirimi nga ato struktura kriminale të cilat i kanë influencuar me grushtin e hekurt në veri të Kosovës”, tha Gurakuq Kuçi nga Instituti Octapus.
Për blerje votash e kërcënime, përfshi edhe dhurata, madje banesa, subvencione e skema sociale, dhe kërcënime duke përfshirë mobilizim nga Lista Serbe për votim në mënyrë grupore, që sipas Kuçit përbëjnë shkelje të ligjeve dhe parimeve në ditën e zgjedhjeve.
“Gjithë ky mobilizim, edhe pse ka prodhuar një votë pozitive dhe me shumicë te Lista Serbe, ka shënuar një rënie krahasuar me vitet e kaluara deri në 20 përqind nëpër komuna dhe kjo tregon që ka një lloj gatishmërie të serbëve që gradualisht të shkëputen nga Lista Serbe dhe Vuçiqi”, tha ai.
Një sërë shkeljesh të evidentuara, që nga detyrimi i serbëve lokalë për të zbatuar urdhrat e Beogradit për të braktisur institucionet e Kosovës, e deri te frikësimi e shantazhimi i tyre, njohës të sigurisë i faktojnë në adresë të Listës Serbe, e cila kështu ka humbur legjitimitetin për të përfaqësuar komunitetin pakicë serb në Kosovë.
