Një udhëtim muzikor me “Jehonat e zemrës” të Dukagjin Muhaxherit

Një udhëtim muzikor me “Jehonat e zemrës” të Dukagjin Muhaxherit për gjyshin e tij Qamili i Vogël.

Një udhëtim i veçantë nëpër kohë erdhi përmes koncertit kushtuar këngëtarit Qamili i Vogël, të cilin e jetësoi në skenë nipi i tij saksofonisti Dukagjin Muhaxheri, duke promovuar njëherit edhe albumin me titull “Echoes from the heart”, që u shpalos me performancën e formacionit të muzikantëve të shquar të skenës sonë që e kompletojnë këtë histori me ndjeshmëri artistike.

Albumi muzikor i Dukagjin Muhaxherit, që vjen si një urë ndërmjet brezave, ka lindur nga kujtimet dhe këngët e gjyshit të tij Qamilit të Vogël.

 “Isha vetëm dy vjeç, kur ai na la, por muzika e tij nuk më ka lënë asnjëherë, ajo ka jetu në shtëpinë tonë, ka rrjedh si ajër i gjallë ka depërtu thellë në zemrën time, derisa e ka gjetur vend dhe ato këngë, tashmë janë shokë të shpirtit tim”, u shprehë Dukagjini, duke shtuar se ky album është një urë mes brezash dhe është si një bisedë e heshtur mes nipit dhe gjyshit.

Profesor Blerim Grubi i emocionuar pas koncertit, teksa po mbante në duar fotografinë ku ishin babai i tij Gani Grubi së bashku me Qamilin e Vogël, u shprehë se, ne sot po i kujtojmë të gjitha këngët dhe krenohemi me atë çfarë ka krijuar Qamili i Vogël. “Improvizimi i Dugit, është improvizimi shpirtëror me vijën melodike të gjyshit të tij Qamilit të Vogël. Unë jam edhe shpirtërisht pak më i lidhur me familjen Muhaxheri, sepse babai im Gani Grubi me bacën Qamil kanë qenë shumë të afërt dhe kanë bashkëpunuar, ku kanë incizuar shumë këngë në Radio Shkupi në vitet ’60-’80-ta”, shtoi Blerim Grubi.

Albumi që vjen si një koleksion prej 7 këngësh, është homazh, kujtesë, vazhdim i një trashëgimie dhe rikthim tek rrënjët, i cili vjen në kujtim të zërit dhe këngëve të Qamilit të Vogël, që nuk është ndalur kurrë. Dukagjini, këngët e gjyshit të tij i sjellë të ripërpunuara në një frymë të re, duke kaluar nga tradita në improvizim dhe nga e kalauara në të tashmen.

 “Mrekullia vet. Zemra bëhet mal kur dëgjon artiste të tillë dhe kur kanë si prapavijë melosin tonë të begatshëm. Dugi na knaqi me orkestrimet, aranxhimet edhe instrumentimi i tërë orkestrës ishte i shkëlqeshëm”, u shprehë Sheki Hoxha, i cili apeloi se duhet të ketë sa më shpesh ngjarje të tilla, sepse ne jemi vonë me xhaz. Ne, shqiptarë, jemi shumë vonë. Prandaj, momente të tilla vetëm na mrekullojnë.

Qamili i Vogël nuk ishte thjeshtë një këngëtar apo krijues, ai ishte zëri i një kohe dhe i një përvoje, i cili lidhi breza të tërë me këngën. Ai krijoi një trashëgimi, që vazhdon të jetoj në kujtesën dhe identitetin tonë muzikor.

“Shumë do të kisha dashur që Qamili i Vogël të ishte gjallë, qoftë edhe në një mënyrë imagjinare, që t’i jepte një vlerësim koncertit sonte. Sepse sonte Qamili i Vogël erdhi ndryshe, me një stil krejtësisht jazz”, është shprehur muzikologu Behar Arllati.

Saksosfonist, pedagog dhe kompozitor, Dukagjin Muhaxheri është një artist që me përkushtimin, vizionin dhe ndjeshmërinë e tij artistike, ka ndërtuar një identitet të fuqishëm në skenën muzikore në Kosovë.


Go to TOP