Nisin xhirimet e filmit të gjatë `Për sa t’ketë det`

Kanë nisur zyrtarisht xhirimet e filmit artistik të metrazhit të gjatë “Për sa t’ketë det”, projekti i parë i këtij formati nga regjisori dhe skenaristi Sovran Nrecaj.

Qendra Kinematografike e Kosovës e cila po e mbështet projektin thekson se, producentja Aurela Kadriu sjell në ekran një histori që trajton plagët e pashprehura dhe jetët e mbajtura pezull nga pritja, në një shoqëri që përpiqet të rindërtojë veten pas konfliktit. Filmi shmang narrativat klasike të heroizmit, duke u fokusuar në dimensionin intim dhe emocional të humbjes.

Në qendër të rrëfimit është Sadetja, e interpretuar nga Ilire Vinca, e cila jeton me bashkëshortin e saj Burimin (Alban Ukaj), një fotograf, dhe djalin e tyre Lumin (Yzeir Meha). Jeta e familjes ndryshon kur Burimi i bashkohet rezistencës së armatosur dhe nuk kthehet më, duke lënë pas një boshllëk të thellë dhe një pritje pa fund.

E mbetur vetëm, Sadetja përballet me realitetin e një humbjeje të paqartë, ndërsa përpiqet të gjejë mënyra mbijetese për veten dhe djalin e saj në një ambient shoqëror patriarkal. Filmi eksploron tensionin mes së kaluarës dhe së tashmes, duke sjellë në fokus brishtësinë e përditshmërisë.

Në role të tjera paraqiten aktorët Refet Abazi, Melihate Qena, Molikë Maxhuni, Valdrin Osmani, Ernest Malazogu, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi, Blend Sadiku, Ermal Sadiku dhe Ideal Nrecaj, Mia Muçaj dhe Ana Neziraj.

Drejtimin e fotografisë e mban Murat Emkuzhev, ndërsa për kostumet dhe skenografinë është angazhuar Leonora Mehmeti Hoxha. Muzika origjinale vjen nga Anda Kryeziu dhe Justin Robinson Stewart, ndërsa dizajni i zërit realizohet nga Pëllumb Ballata. Për grim dhe flokë kujdeset Linda Nimani. Prodhohet nga kompania Can and Cam në partneritet me Degjenerata. 

Filmi “Për sa t’ketë det” aktualisht është në fazën e xhirimeve në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP