Nis seanca për konstituimin e Kuvendit maqedonas

Në Maqedoninë e Veriut më 28 maj ka nisur seanca konstituive e përbërjes së njëmbëdhjetë të Kuvendit, e dalë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare që u mbajtën më 8 maj.

Në seancën e së martës, përveç verifikimit të mandateve të 120 deputetëve, zgjidhet edhe kryeparlamentari i ri, ndërsa paraprakisht deputetët formojnë Komisionin për zgjedhje dhe emërime, i cili duhet të miratojë kandidaturën e kreut të ri të Kuvendit.

Për postin e kryetarit të Kuvendit është propozuar Afrim Gashi nga koalicioni i partive shqiptare VLEN, ndërsa ka mbështetjen edhe të VMRO DPMNE-së, partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare.

Gashi deri të hënën ka qenë kryetar i partisë Alternative, kur dha dorëheqje pas nominimit të tij për kryetar të Kuvendit.

Sipas dispozitave në fuqi, kryetari i Kuvendit nuk mund të jetë edhe kryetar partie, apo bartësi i funksioneve tjera në ndonjë subjekt politik.

Afrim Gashi ishte deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në dy mandate 2016-2020 dhe 2020-2024.

Kush është Afrim Gashi?

Kandidati për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka lindur në Shkup më 9 nëntor 1977.

Ka kryer Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës në vitin 2007, ndërsa ndjek studimet pasuniversitare në Institutin e Studimeve Juridike, Sociologjike dhe Politike në Shkup.

Ai ka punuar si redaktor në Shtëpinë Botuese “Logos-A”, ndërsa në opinion është i njohur si publicist.

Nga viti 2014 është aktiv në politikë, ndërsa është një ndër themeluesit e Lëvizjes politike, Besa.

Në zgjedhjet parlamentare në dhjetor të vitit 2016 për herë të parë u zgjodh deputet në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

Postin e deputetit e fitoi edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.

Pas përplasjeve që ndodhën në lëvizjen Besa, Afrim Gashi në mars të vitit 2019 së bashku me disa bashkëpunëtor të tij formuan partinë Alternativa.

Pas propozimit për kryetar të Kuvendit, më 27 maj 2024 dha dorëheqje nga drejtimi i kësaj partie.

Gashi është një ndër drejtuesit e koalicionit të partive opozitare VLEN që në zgjedhjet e 8 majit fitoi 14 mandate të deputetëve.

Sipas Rregullores së re të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, seanca konstituive zgjat më së shumti tri ditë dhe përfundon me zgjedhjet e drejtuesit të ri të institucionit ligjvënës.

Ndryshimet pamundësojnë pengimin e punës dhe funksionalitetin e Kuvendit dhe trupave të tij punues, siç ndodhi në vitin 2017 kur pati edhe trazira të përgjakshme brenda sallës pas hyrjes brenda të ithtarëve të VMRO DPMNE-së që kundërshtonin zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit.

Në përbërjen e re të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut VMRO-DPMNE ka siguruar 58 deputetë, Fronti Evropian që udhëhiqet nga BDI-ja, 18 deputetë, aq sa edhe Lidhja Social Demokrate, ndërsa koalicioni VLEN 14. Nga gjashtë deputetë kanë lëvizja ZNAM dhe partia E Majta.

Partitë që përbëjnë Frontin Evropian të udhëhequr nga BDI-ja vlerësojnë se shumica e re parlamentare mes VMRO DPMNE-së dhe koalicionit VLEN, nuk pasqyron realitetin etnik pasi “përfaqësues legjitim i shqiptarëve është Fronti Evropian”, sipas drejtuesve të tij.

Një nga deputetët e këtij koalicioni, Elmi Aziri ka thënë se “shkelja e legjitimitetit të shqiptarëve do të shkaktoj krizë të thellë politike në Maqedoninë e Veriut”.

Por, nga koalicioni VLEN pretendojnë të kundërtën duke thënë se “në zgjedhjet e 8 majit VLEN ka marrë vota të pastra shqiptare për dallim nga Fronti Evropian që në përbërjen e tij ka edhe katër parti të entiteteve tjera në Maqedoninë e Veriut”.

Pas konstituimit të Kuvendit, në afat prej dhjetë ditëve presidentja e shtetit, Gordana Silanovska-Davkova pritet të dekretojë kreun e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski si mandatar për formimin e Qeverisë së re.

VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni VLEN, thonë se tashmë kanë përfunduar bisedimet për bashkëqeverisje dhe për ndarjen e posteve ministrore në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, por marrëveshja nuk do të bëhet e ditur pa mbylljen e bisedimeve edhe me lëvizjen ZNAM, një parti që pritet gjithashtu të jetë pjesë e ekzekutivit të ardhshëm.

Bazuar në paralajmërimet e VMRO DPMNE-së, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut pritet të zgjidhet më së voni deri më 20 qershor.

Go to TOP