Nga Prishtina në Tiranë: Donjeta Sahatçiu përuron shkollën 42 me Macronin dhe Ramën – një ëndërr që nisi në Kosovë bëhet realitet në Shqipëri

Donjeta Sahatçiu, e njohur për angazhimin e saj në fushën e edukimit dhe inovacionit, ka shënuar një nga momentet më të rëndësishme të rrugëtimit të saj profesional me përurimin e shkollës 42 Tirana – institucionit të parë të edukimit jotradicional në rajon, pjesë e rrjetit global të shkollave të kodimit “42”.

Në një ceremoni madhështore të mbajtur në ambientet e Piramidës së Tiranës, Sahatçiu mirëpriti Presidentin francez Emmanuel Macron, Kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe themeluesin e shkollës 42 në Paris, Xavier Niel. Ngjarja shënoi hapjen zyrtare të kampusit më të ri të rrjetit që tashmë numëron 55 shkolla në mbarë botën – të gjitha të përkushtuara në sfidimin e mënyrave tradicionale të të mësuarit dhe fuqizimin e të rinjve përmes teknologjisë.

Donjeta Sahatçiu rikujtoi rrugëtimin e saj që nisi në Prishtinë, kur për dy vite punoi me përkushtim për të realizuar projektin e 42 Prishtina – një iniciativë që përkundër angazhimit të madh, mbeti pezull. “Ka qenë një vizion që gjithmonë e kam dashur me e pa të realizuar. Një përpjekje e nisun prej besimit – në fuqinë e edukimit, në teknologjinë si mundësi, e në çka 42 mundet me u dhanë të rinjve tanë”, shkroi ajo në një reflektim publik.

Pas një kthese të papritur që e çoi në Tiranë një vit më parë, ajo mori përsipër ndërtimin e kampusit të 42 në Shqipëri, i cili sot është bërë realitet falë bashkëpunimit me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Bashkinë e Tiranës dhe Qendrën Piramida. Interesi ka qenë i jashtëzakonshëm – në vetëm tre muaj, mbi 2,000 të rinj aplikuan për 150 vendet e para që do të nisin në tetor.

“Let’s do this” – ishte shprehja që e shoqëronte gjatë takimeve në Prishtinë, por tashmë, ajo thotë me krenari dhe emocion: “We did it!” në Tiranë. Megjithatë, dëshira e saj mbetet e njëjtë: ta shohë këtë vizion të gjallë edhe në Prishtinë. /Kosova.info/


Go to TOP