Banka Qendrore Evropiane zbulon dizenjot e reja të kartmonedhave euro
Banka Qendrore Evropiane prezantoi këtë të enjte projektet finaliste për kartëmonedhat e reja euro. Për herë të parë, qytetarët e BE-së do të kenë mundësinë të japin mendimin e tyre për dizajnin e ri, i cili pritet të zëvendësojë pamjen e pandryshuar të kartëmonedhave që prej vitit 2002.
Euroja do të ndryshojë pamje. Për herë të parë që nga futja e saj në qarkullim, qytetarët evropianë do të kenë mundësinë të zgjedhin dizajnin e kartëmonedhave të reja. Banka Qendrore Evropiane (BQE) prezantoi 10 projektet finaliste të serisë së re të euros dhe hapi një konsultim publik, i cili do të qëndrojë i hapur deri më 21 shtator.
Krahas ekspertëve dhe Këshillit Drejtues të BQE-së, edhe qytetarët do të japin mendimin e tyre për pamjen e re të monedhës së përbashkët, e cila do të ridizenjohet plotësisht për herë të parë që nga viti 2002.
“Jemi të entuziazmuar të prezantojmë këto motive, që paraqesin skena nga jeta reale dhe tregojnë angazhimin tonë për Evropën, duke festuar trashëgiminë e saj kulturore dhe natyrore. Kartëmonedhat euro janë më shumë se një mjet pagese. Ato janë një nga shprehjet më të prekshme të Evropës. Përmes dizajneve që bashkojnë bukurinë dhe domethënien, ato do të forcojnë identitetin tonë të përbashkët”, tha presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, gjatë prezantimit të modeleve finaliste.
