Nesër seanca për formimin e qeverisë

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër (e mërkurë) dy seanca të thirrura nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekjen për të çuar përpara procesin e formimit të Qeverisë së re, por edhe çështje të buxhetit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka konfirmuar se seanca e parë do të zhvillohet për konstituimin e komisioneve të përhershme, ndërsa seanca e dytë, e cila do të mbahet në ora 14:00, është thirrur për mandatarin Glauk Konjufca.

“Agjenda së shpejti u shpërndahet të gjithë deputetëve. Të dy seancat janë thirrur me 40 nënshkrime të grupit tonë parlamentar. Por shpresojmë që në seancë, për shkak të arsyeve emergjente që prekin edhe buxhetet e komunave, të marrin pjesë të gjithë deputetët e Kuvendit dhe të tregojnë vullnet për t’i tejkaluar ngarkesat financiare para se të kalojmë në një votim tjetër”, ka thënë Kusari-Lila.

E pyetur nëse LVV-ja ka siguruar vota shtesë, ajo theksoi se kjo pyetje duhet t’i adresohet zyrës së partisë apo vetë mandatarit.

“Është proces që është zhvilluar prej tyre”, ka thënë ajo.

Glauk Konjufca është mandatuar më 4 nëntor nga presidentja Vjosa Osmani për formimin e Qeverisë, pasi më 26 tetor, kandidati i mëparshëm, Albin Kurti, dështoi të sigurojë votat e nevojshme.

Nëse Konjufca nuk arrin të marrë mbështetjen e nevojshme në seancën e nesërme, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.


Go to TOP