Në Vushtrri mbahet simpoziumi në nder të Ditës Botërore të Diabetit
Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, në Vushtrri u mbajt një simpozium profesional, i cili mblodhi dhjetëra profesionistë të shëndetësisë nga fusha të ndryshme. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte ngritja e vetëdijes për diabetin, shkëmbimi i njohurive bashkëkohore dhe prezantimi i qasjeve të reja në trajtimin e komplikimeve që lidhen me këtë sëmundje kronike.
Në simpozium morën pjesë mjekë nga specializime të ndryshme, përfshirë kardiologë, nefrologë, okulistë, nutricionistë dhe mjekë familjarë, të cilët diskutuan ndikimin e diabetit në organe të ndryshme të trupit dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm. Secili prej tyre prezantoi sfidat dhe zhvillimet e reja klinike në menaxhimin e komplikacioneve që lidhen me diabetin.
Ngjarja u pasurua edhe me prezantime nga mjekë ndërkombëtarë të ardhur nga Zvicra, Amerika Latine dhe Turqia, të cilët ndanë eksperiencat dhe praktikat më të avancuara në trajtimin e diabetit dhe teknologjitë e reja mjekësore që po përdoren në vendet e tyre. Pjesëmarrja e tyre vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për shkëmbim profesional dhe ndërtimin e bashkëpunimeve të reja ndërkombëtare.
Edita Blakaj Shala e cila ishte edhe organizatore e simpoziumit profesional i u shpreh se ky simpozium synon jo vetëm edukimin e profesionistëve, por edhe forcimin e rrjetit bashkëpunues mes institucioneve shëndetësore brenda dhe jashtë vendit. Ajo theksoi se rritja e incidencës së diabetit kërkon qasje të integruar dhe veprim të koordinuar ndërmjet të gjitha fushave të mjekësisë.
Simpoziumi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të menaxhimit të diabetit në komunën e Vushtrrisë dhe më gjerë, duke demonstruar angazhimin e komunitetit mjekësor në përballimin e kësaj sëmundjeje me ndikim të madh.

