Në Parkun e Inovacionit në Prizren nis edicioni i katërt i DigiCamp

Sot, në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, u hap edicioni i katërt i DigiCamp dhe Digital Skills Festival 2026, një platformë që tashmë është shndërruar në pikë takimi të institucioneve, sektorit privat, akademisë dhe të rinjve për të avancuar transformimin digjital të Kosovës.

Në hapje mori pjesë  ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe i Administratës Publike Lulëzon Jagxhiu, i cili theksoi se nga një iniciativë e fokusuar në ligjërata dhe shkëmbim njohurish, DigiCamp është zhvilluar në një hapësirë konkrete bashkëkrijimi, ku po ndërtohen zgjidhje inovative për sfidat e sektorit publik. Sivjet, për herë të parë, ngjarja ka edhe karakter rajonal me pjesëmarrës nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa pjesë e saj janë bërë edhe juniorët – nxënësit e moshës 14 deri në 17 vjeç.

Jagxhiu tha se jetojmë në një kohë kur inteligjenca artificiale po transformon mënyrën se si mësojmë, punojmë dhe jetojmë, ndërsa integrimi i inteligjencës artificiale në sistemet qeveritare mbetet prioritet kyç. Ai theksoi se kjo e bën të domosdoshme vazhdimin dhe rritjen e investimeve në infrastrukturë digjitale, avancimin e infrastrukturës së të dhënave dhe zhvillimin e shkathtësive digjitale në administratën publike.

Sipas tij, transformimi digjital nuk ka të bëjë vetëm me teknologjinë, por me njerëzit, dijen dhe shkathtësitë për të ndërtuar institucione më efikase, më inovative dhe më të përgatitura për të ardhmen.

Në fund, mnistri  në detyrë Jagxhiu falënderoi Bashkimin Evropian, Gjermaninë, GIZ-in, ITP-në dhe të gjithë partnerët që vazhdojnë ta mbështesin këtë iniciativë të rëndësishme. Uroj që DigiCamp dhe Digital Skills Festival 2026 të sjellin ide të reja, bashkëpunime të qëndrueshme dhe projekte me ndikim për të ardhmen digjitale të Kosovës, theksoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP