Në Mitrovicë, protestë kundër vendimit të Gjykatës Themelore 

Në Mitrovicë u protestua para Gjykatës Themelore me moton “Dhuna seksuale nuk është lëndim i lehtë trupor”, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të kësaj gjykate për rastin e një gruaje e cila dyshohet se u dhunua seksualisht nga ish i dashuri.

Para një viti pretendoi se u rrah e u dhunua disa herë nga tani ish i dashuri i saj.

Këto pretendime u vërtetuan edhe përmes ekzaminimeve mjekësore, por, megjithëkëtë, i dyshuari për dhunim u amnistua nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, duke e rikualifikuar lëndën: nga dhunim, në lëndim të lehtë trupor.

Pas raportimit nga emisioni ‘Udhëve’, në RTK i cili solli rrëfimin e një gruaje që dyshohej se ishte dhunuar më shumë se një herë nga i dashuri i saj, aktivistë të shoqërisë civile protestuan para Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Nëpërmjet këtyre thirrjeve po e shprehin revoltë kundër vendimit të kësaj gjykate. “Derisa gjykata të vazhdojë të amnistojë burrat dhunues, për gratë dhe vajzat në Mitrovicë çdo ditë është një kërcënim për jetën dhe sigurinë e tyre”, tha Arlmela Hajra, aktiviste.

“E kemi për rastin e fundit ku është transmetuar në RTK, ku shihet ashiqare që s’ka pas drejtësi në një rast ku dhunuesi është amnistuar dhe dhuna seksuale është trajtuar si lëndim i lehtë trupor”, tha Neri Ferizi, drejtoresh e OJQ ‘Fourth Wave’.

“Shteti e ka lëshuar krejt, nuk është duke u marrë me dhunuesit. Për shkak të shtetit dhe gjykatësve po ndodhin dhunimet seksuale”, tha Olta Nimani, protestuese.

Sipas aktivisteve, nuk është rasti i parë që kjo gjykatë ka dështuar në trajtimin e rasteve të tilla, andaj paralajmëruan protesta masive.


Go to TOP