Në Gjilan përurohet monumenti i madh i UÇK-së

Komuna e Gjilanit ka njoftuar se për nder të një çerekshekulli nga Beteja e Zhegocit është zbuluar Porta e Monumentit të Heronjve të UÇK-së në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Gjilan.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Gjilanit, Kushtrim Zeqiri, tha se po përkujtojnë 25-vjetorin e Betejës së Zhegocit me një monument të madh për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një simbol i luftës për liri dhe pavarësi.

Sipas tij, ky monument, i vendosur në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Gjilan, shënon një moment të rëndësishëm për historinë e Kosovës dhe rezistencën e saj kundër dhunës së regjimit serb.

“Në këtë ditë rikujtojmë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është simbol i një rezistence të palëkundur për liri dhe pavarësi. Lufta e tyre është një histori e sakrificës sublime për të drejtat dhe vlerat e popullit të Kosovës. Luftëtarët e UÇK-së nuk u tronditën nga sfidat e pamëshirshme dhe vazhduan përpara me guxim dhe vendosmëri, duke lënë pas tyre një trashëgimi të idealizmit dhe përkushtimit ndaj lirisë”, tha Kushtrim Zeqiri, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit në “Facebook”.

Ai bëri me dije se ky inaugurim është shenjë e një përkujdesje të vazhdueshme për dëshmorët dhe luftën e tyre për liri.

“Ky monument, gjithashtu, përforcon një ndjenjë përgjegjësie ndaj brezave të ardhshëm për të ruajtur dhe për t’u përkujdesur për trashëgiminë e tyre të fituar me aq sakrifica dhe vetëmohim”, tha drejtori Zeqiri, thuhet tutje në njoftim.

Po sipas tij, kjo ngjarje thekson rëndësinë e kujtesës dhe respektit për ata që dhanë jetën për vendin tonë.

Ndërsa ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se duke kujtuar ngjarjen e madhe të UÇK-së – Betejën e Zhegocit – vendosim që me shkronjat e arta të UÇK-së, simbolit me të cilin luftuan luftëtarët e lirisë, ta bëjmë nisjen e një inaugurimi të Portës së Heronjve, e cila do të jetë hyrje për kompleksin e këtushëm memorial. /Kosova.info/

Go to TOP