Në Ditën e Veteranëve të SHBA-së, kryetari Basha vlerëson rolin e ushtarëve amerikanë në lirinë e Kosovës
Sot, me rastin e shënimit të Ditës së Veteranëve të SHBA-së, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka shprehur mirënjohjen më të thellë për të gjithë burrat dhe gratë që kanë shërbyer me nder në Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me një falënderim të veçantë për kontributin historik të tyre gjatë intervenimit të vitit 1999, që solli fundin e luftës në Kosovë dhe hapi rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë sonë, kryetari Basha tha se po aq e çmuar mbetet edhe prania e vazhdueshme e forcave amerikane në kuadër të KFOR-it, të cilat vazhdojnë të luajnë rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vendin tonë.
“Në këtë ditë nderimi, u shprehim respektin dhe mirënjohjen institucionale të gjithë veteranëve amerikanë për përkushtimin e tyre ndaj paqes dhe demokracisë. Faleminderit për shërbimin tuaj”, ka thënë në shënimin e tij kryetari Dimal Basha. /Kosova.info/
