Ndërmarrja “Gjelbër” pa paga për gati dy muaj – Bekim Salihu: Prishtina buzë falimentimit funksional, shkak bllokada politike në Kuvend
Ndërmarrja publike “Gjelbër”, e cila menaxhohet nga përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), sipas burimeve të Kosova.info ka mbi dy muaj që nuk ka arritur t’u bëjë pagesat punëtorëve të saj. Situata e rënduar financiare ka përfshirë jo vetëm këtë ndërmarrje, por edhe disa të tjera lokale të Prishtinës, përfshirë Ndërmarrjen Banesore, Pallatin e Rinisë, Kuzhinën Qendrore, kompaninë “Sport Marketing” dhe Trafikun Urban, shkruan Kosova.info.
Analisti i politikave publike, Bekim Salihu, ka paralajmëruar se kryeqyteti është buzë falimentimit funksional si komunë, duke theksuar se asnjë pagesë nuk është ekzekutuar për punëtorët teknikë, mirëmbajtësit në shëndetësi e arsim, si dhe për kompanitë që kanë kryer punë të kontraktuara me komunën.
Sipas tij, komuna nuk ka arritur të blejë as dru, pelet apo naftë për shkolla e objekte publike, dhe nuk ka dhënë asnjë subvencion për kategoritë e planifikuara. Kjo gjendje, sipas Salihut, sjell pasoja serioze si: ndërprerjen e rrymës nga KEDS për objektet publike, mbetjen pa paga të kategorive më të ulëta, dështimin e shërbimeve komunale, si dhe rrezikun e padive nga kompanitë private.
“Situata është serioze dhe kjo gjendje është pasojë e qasjes jo fleksibile të LDK-së dhe e dëshirës së madhe të VV-së dhe PDK-së për të dëmtuar qeverisjen e LDK-së në kryeqytet,” ka shkruar Salihu.
“Prej dy vitesh, këto dy parti nuk e kanë miratuar buxhetin në Kuvendin Komunal, çka ka sjellë pasoja zinxhirore për funksionimin e komunës dhe ofrimin e shërbimeve,” ka shtuar ai.
Në seancat e fundit të Kuvendit Komunal, përfaqësuesit e PDK-së dhe VV-së kanë munguar në sallë në momentet kur duhej të votohej buxheti, duke lënë komunën pa mundësi të ekzekutimit të pagesave për punëtorët dhe ndërmarrjet publike./Kosova.info/
