Mustafa i përgjigjet Redžepit: Të lexojë me kujdes – përfaqësuesit jo-shumicë nuk përjashtohen

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka reaguar pas deklaratës së ashpër të zëvendëskryeministres Emilija Redžepi, duke e ftuar atë që të lexojë me kujdes letrën e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, para se të ngrejë akuza pa bazë.

Mustafa ka sqaruar se propozimi për një Qeveri Nacionale të Tranzicionit nuk përjashton komunitetet jo-shumicë, përkundrazi, përfshin përfaqësuesit e tyre në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Emilija Rexhepi është mirë ta lexojë të gjithë letrën, ngadalë e me kujdes, para se të postojë akuza pa asnjë bazë. Nuk hidhet poshtë rezoni për qefin e Albinit…”, shkroi Mustafa në një reagim publik.

Ai citon pjesën relevante të letrës së Abdixhikut, ku thuhet qartë se “Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, edhe nga përfaqësues të partive të komuniteteve jo-shumicë, do të ketë afat të caktuar, qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues,” citoi Mustafa.

Ai shtoi se qëllimi i kësaj nisme është krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse e tranzicionale me mandat të kufizuar deri në zgjedhjen e presidentit të ri, e jo përjashtimi i ndonjë grupi etnik.

Mustafa përfundoi duke theksuar se interpretimet e nxituara dhe të shtrembëruara të qëndrimeve politike vetëm sa dëmtojnë klimën e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP