Musliu: Kurti 3 pa asnjë ministër jopartiak – Deri kur shtet partiak?

Gazetari i karrierës Fahri Musliu ka reaguar ashpër ndaj përbërjes së qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti, duke kritikuar faktin se në kabinetin “Kurti 3” nuk ka asnjë ministër jopartiak.

Në një reagim publik, Musliu thekson se nga 20 ministra sa numëron qeveria e re e Kosovo, asnjë nuk vjen jashtë strukturave partiake, duke e cilësuar këtë si vazhdim të “traditës së ndërtimit të shtetit partiak”.

“Pse në qeverinë e re të Kosovës, Kurti 3, nga 20 ministra, nuk është asnjë jopartiak? Kujtoj se është dashur të paktën tri ministri t’i drejtonin persona me dije, përvojë dhe kompetencë, të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm. Kuadro të tillë ka mjaft në Kosovë”, ka shkruar Musliu.

Sipas tij, ministrat në këtë përbërje përfaqësojnë dhe u përgjigjen partive të tyre, e jo qytetarëve. Ai shkon më tej duke krahasuar situatën aktuale me sistemin e kaluar njëpartiak, duke theksuar se “kështu nuk ka ndodhur as në kohën e sistemit njëpartiak”.

Në fund të reagimit të tij, Musliu ironizon me shprehjen “Rroftë partia! Le të na rrojnë partitë”, duke ngritur pyetjen: “Deri kur kështu?!” /Kosova.info/


Go to TOP