Musliu i drejtohet Kurtit: Protestat nuk janë barrikada, Kryeministër e keni gabim!

Gazetari i njohur, Fahri Musliu, ka reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili në mbledhjen e fundit të Qeverisë krahasoi protestat e paralajmëruara nga komuniteti i bizneseve me barrikadat ilegale në veri të vendit.

Në një reagim publik, Musliu i ka kujtuar Kurtit se protesta dhe shprehja e pakënaqësisë janë të drejta themelore në një sistem demokratik dhe nuk mund të barazohen me veprime kriminale apo antikushtetuese.

“Zoti kryeministër, lexova nëpër portale se keni deklaruar, nëse ju kanë përcjellë drejt, se: ‘Koha e barrikadave ka kaluar, i kemi hequr kudo dhe s’lejojmë më të reja’. Kryeministër, ju e dini shumë mirë se protestat dhe bllokadat janë të ndaluara vetëm në sistemet diktatoriale, por jo në ato demokratike, veçmas kur po deklaroni se Kosova ‘ka demokraci më të avancuar në rajon’,” shkroi Musliu.

Ai shtoi se është e drejtë kushtetuese të protestohet ndaj polaitikave të dëmshme për qytetarët dhe bizneset, dhe theksoi se Kurti vetë ka qenë pjesë e protestave kur ishte në opozitë.

“Prandaj, kryeministër (në detyrë), nuk mund të thoni se ka kaluar koha e bllokadave, sepse vet keni qenë edhe iniciues, edhe organizator, edhe aktor i tyre kur ishit në opozitë. Rregullat e demokracisë janë të njëjta si kur je në opozitë, ashtu edhe kur e drejton pushtetin,” përfundoi Musliu.

Ky reagim vjen në vazhdën e kritikave të shumta ndaj qasjes së Qeverisë ndaj protestës së paralajmëruar nga sektori i biznesit, e cila konsiderohet si shprehje legjitime e pakënaqësisë qytetare dhe jo si akt destabilizues. /Kosova.info/


Go to TOP