Musliu: Gabimi trashanik i LDK-së ishte heshtja dhe mungesa e guximit politik, jo Hashim Thaçi
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Besian Mustafës, i cili ka thënë se votimi i Hashim Thaçit për president ka qenë “gabim trashanik i LDK-së”. Sipas Musliut, problemi i vërtetë i LDK-së nuk ka qenë Hashim Thaçi, por heshtja, frika dhe mungesa kronike e guximit politik.
Ajo thekson se gabimi më i madh i LDK-së ka qenë paaftësia për t’u përballur me të vërtetën dhe mungesa e kurajës për t’i drejtuar kritika të hapura Donika Gërvallës, Faton Pecit dhe Vjosa Osmanit. Sipas saj, LDK ka ushqyer iluzione të rreme se këta figura do t’ia kthenin votat e humbura dhe do t’i riparonin dëmet e mëdha që, sipas Musliut, vetë ia shkaktuan kësaj partie.
Musliu kritikon ashpër heshtjen e LDK-së përballë, siç i quan ajo, skandaleve të shumta gjatë mandatit të Faton Pecit në qeveri, Donika Gërvallës në diplomaci dhe Vjosa Osmanit në presidencë. Ajo përmend keqmenaxhimin, vendimet e kontestuara, arrogancën politike, shkeljen e standardeve institucionale dhe dëmtimin e funksionimit demokratik të shtetit duke theksuar se gjithçka është toleruar në emër të kalkulimeve të ulëta politike.
Sipas deputetes së PDK-së, me këtë sjellje LDK nuk ka dështuar vetëm si opozitë, por është bërë bashkëfajtore përmes heshtjes. “LDK zgjodhi të përkulej, jo të përballej. Zgjodhi të shpresojë, jo të veprojë”, thekson Musliu duke e cilësuar partinë si të paqëndrim, frikacake dhe të padenjë për barrën historike që pretendon ta mbajë.
Në përfundim, Musliu vlerëson se problemi i LDK-së nuk qëndron te e kaluara e saj, por te mungesa e guximit për ta thënë të vërtetën sot. /Kosova.info/
