Murtezaj: Deputetët kanë tri rrugë për të dalë nga kriza e konstituivit të Kuvendit
Profesori dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Valon Murtezaj, ka analizuar situatën aktuale politike në Kosovë duke ofruar tri rrugëzgjidhje për tejkalimin e krizës së konstituivit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, deputetët e zgjedhur nga qytetarët kanë përgjegjësinë të veprojnë me mençuri politike dhe të ndjekin njërën nga këto tri rrugë:
“Së pari, të ndryshojnë veten – pra, qëndrimet e tyre fillestare; së dyti, të përpiqen të ndryshojnë palën tjetër përmes ndikimit politik; ose së treti, të ndryshojnë vetë kontekstin, përmes krijimit të koalicioneve të reja ose organizimit të zgjedhjeve të reja,” shprehet Murtezaj.
Ai thekson se deputetët duhet të mësojnë nga praktika politike dhe të zbatojnë mësimet teorike në funksion të stabilitetit institucional dhe përfaqësimit të drejtë të vullnetit qytetar.
“Në fund të ditës, deputetët duhet të kenë kapacitetin për të gjetur mënyrën më të mirë për të ecur përpara,” përfundon Murtezaj. /Kosova.info/
