Policia e Kosovës, institucioni më i besueshëm
Policia e Kosovës ka mirëpritur rezultatet e Anketës Rajonale WeBalkans 2026, sipas së cilës 85,6 për qind e qytetarëve kanë shprehur besim në këtë institucion duke e renditur atë ndër institucionet me nivelin më të lartë të besimit publik në vend, së bashku me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në një komunikatë të publikuar të enjten, Policia e Kosovës vlerësoi se ky rezultat përfaqëson një konfirmim të profesionalizmit dhe përkushtimit të vazhdueshëm të zyrtarëve policorë në garantimin e rendit publik, sigurisë dhe sundimit të ligjit.
“Besimi i qytetarëve është themeli i punës policore dhe një tregues i drejtpërdrejtë i partneritetit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe komunitetit”, thuhet në reagimin e Policisë.
Sipas rezultateve të anketës, qytetarët vazhdojnë t’i konsiderojnë sigurinë, sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit si ndër prioritetet kryesore për zhvillimin e vendit. Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve kanë vlerësuar se forcimi i zbatimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbeten në fokus të institucioneve.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit duke përfshirë krimin e organizuar, korrupsionin, trafikimin dhe veprat e tjera penale që cenojnë sigurinë e qytetarëve.
Institucioni policor ka falënderuar qytetarët për besimin e treguar duke premtuar se do të vazhdojë të punojë me profesionalizëm, integritet dhe transparencë në funksion të garantimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në vend. /Kosova.info/
