Murati: Bëmë atë që pak e bëjnë në politikë, të largohemi me dinjitet

Një letër të gjatë përshëndetëse e ka shkruar, Valon Murati, kryetar i deritashëm i Lëvizjes për Bashkim, e cila e ka pushuar aktivitetin e saj politik.

“Mbetemi të mërzitur që nuk kemi arritur të bëjmë më shumë, por shumë krenarë për të gjitha që i kemi bërë”, ka shkruar në hyrje të kësaj letre, Murati.

Thotë se rrugëtimi nisi me qëllime të pastra për çlirim, bashkim, drejtësi e për barazi.

“Atëherë kur dhuna e terrori pushtues po na çonte drejt zhbërjes si komb, ne, pushtuesit iu përgjigjëm me armë. Dhe suksesi nuk mungoi, megjithëse nuk ishte i plotë për shkak të mpleksjes së shumë rrethanave të brendshme dhe ndërkombëtare”, vijon letra e Muratit.

Ai tha se, në kohë komoditeti të rremë dhe konformizmi politik, qëndruan të palëkundur pranë parimeve të tyre, madje edhe, siç thotë, kur kjo u kushtoi shumë.

“Në çdo hap që bëmë u përpoqëm ta mbjellim farën e së vërtetës, por idealet, sado të larta, përballen me kufijtë e pashmangshëm të realitetit politik”, ka shkruar Murati.

Thotë se ishin dhe mbeten të bindur se zgjidhja e vetme reale e problemit shqiptaro-serb është reciprociteti i plotë në të drejta, deri në ripërcaktimin e kufijve, bazuar në të drejtën e kombeve për vetëvendosje.

“Dhe kjo nuk ishte thjesht një pikëpamje, por një platformë e ndërtuar me maturi, vizion dhe guxim. Fatkeqësisht e shpërfillur, e stigmatizuar, madje e keqinterpretuar nga shumica – por kurrë e lëkundur nga e vërteta që përfaqëson”, shkroi tutje ai.

Sipas kreut të deritashëm të Lëvizjes për Bashkim që pushoi aktivitetin politik e u çregjistrua nga KQZ-ja, kjo nuk po ndodh se kanë humbur peshë vlerat që ajo përfaqësonte, por sepse ato ishin të rënda për supet e saj.

“Pra sot, me dhembje dhe ndërgjegje, pranojmë se nuk ia dolëm t’i përmbushim objektivat të cilat i vendosëm kur u themeluam. Dhe në vend të zvarritjes së një ekzistence formale, sa për të ngritur kokë në kohë zgjedhjesh, kemi vendosur të bëjmë atë që pak e bëjnë në politikë: të largohemi me dinjitet”. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se sot po shuhet një ide. Edhe pas kësaj dite, vizioni ynë do të mbetet i vetmi që siguron forcimin e sovranitetit të Kosovës dhe hapjen e perspektivës për zhvillim të gjithmbarshëm, deri në ditën e madhe të bashkimit të shqiptarëve”,  ka shkruar në letrën përshëndetëse, Murati.

Ai ka falënderuar qytetarët që i besuan Lëvizjes për Bashkim, që thotë se mund të kenë qenë të paktë në numër, por të mëdhenj në shpirt.

Gjithashtu, Murati falënderoi edhe mediat për hapësirën që i është dhënë, pa çka thotë se zëri i tyre do të ishte shumë më i dobët. /Kosova.info/


Go to TOP