Murati akuzon LDK-në për manipulim industrial të votave me postë: Kërkon hetim nga Prokuroria

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka ngritur dyshime serioze për manipulim të votave me postë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) duke kërkuar nisjen e një hetimi nga Prokuroria.

Përmes një reagimi në Facebook, Murati tha se anomalia e votave me postë për LDK-në vërehet qartë, pa pasur nevojë për një analizë të thelluar. Sipas tij, rritja e votave me postë për këtë parti krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 është abnormale dhe mund të përbëjë manipulim në shkallë industriale.

Ai theksoi se përderisa votat për LVV-në mbeten pothuajse të pandryshuara, ndërsa PDK dhe AAK kanë rritje prej 32%-48%, LDK ka një rritje prej mbi 367%, që sipas tij nuk mund të ndodhë pa keqpërdorime.

Murati kujtoi një rast të vitit 2021, kur anëtarë të LDK-së ishin dënuar për keqpërdorimin e identitetit të 72 qytetarëve në Austri për votat me postë. Ai kërkoi nga Prokuroria që të nisë hetimet për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e të përfshirëve.

Deputeti gjithashtu i bëri thirrje kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që t’i bashkohet kërkesës për hetim dhe të distancohet nga çdo manipulim i mundshëm. /Kosova.info/


Go to TOP