Mulliri i Samadrexhës që punon mbi një shekull, ka nevojë për rinovim

Në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë gjendet një mulli që nuk e ka ndalur punën tash e 110 vjet. Nga 12 të tillë sa kanë qenë në këtë anë, tashmë ka mbetur vetëm një. Pronari aktual i familjes Basholli i takon gjeneratës së 4-t që ende punojnë me mulli.

Mulliri i familjes Basholli është i vetmi që ka mbetur dhe është ruajtur në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë dhe funksionon plotësisht. Ndërtimi i tij daton që në vitin 1918, kur në këtë fshat çdo shtëpi që ishte buzë lumit kishte edhe mulli. Gjithsej kanë qenë 12 mulli guri që kanë punuar pandërprerë.

“Ndërtimi i mullirit ka filluar prej vitit 1918. Kanë ekzistuar më herët 12 mullinj. Çdo lagje e ka pasur nga një mulli, por tash ka mbetur vetëm mulliri im. Funksionon me ujë, me dy gurë”, tha për RTK-në, Selim Basholli, pronar.

E djali i tij, Andi thotë se puna u ka ecur mirë por ka qenë kohë e vështirë atëherë. Sipas tij, mulliri ka qenë duke u rrëzuar, pasi dihet se në çfarë kohe është ndërtuar, por e kanë rinovuar.

“Në 2009-tën e ka rregulluar babi e ka bërë një renovim, pastaj në 2014-tën ose 2016-tën e ka bë përmes IADK-së një tjetër renovim”, tha Andi Basholli.

Mullisi Selim Basholli ishte kthyer nga perëndimi që të punojë dhe kontribuoj në vendlindje. E filloi punën me mullirin me të cilin ka arritur të bëj edhe emër. Në 2016 ai bëri një renovim dhe rriti sasinë e punës.

“Në fillim nisa veç hajt thash të punoj diçka mos të rri, sepse erdha prej perëndimit e s’kisha çfarë të punoj. E fillova me këtë mulli dhe tash jam bë goxha i njohur , siç po e shihni edhe vet”, tha Selim Basholli.

Puna në mulli siç thonë nuk është edhe aq e lehtë, i ka vështirësitë e veta por që sjell të ardhura të mira. Mulliri ka nevojë për përmirësime dhe pronari shpreson që nga komuna do t’u ofrojnë ndihmën e duhur.

Go to TOP