Muharremi: Sulmet e LVV-së ndaj kritikëve tregojnë panik dhe rënie politike

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj, siç i quan ai, sulmeve të vazhdueshme të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj gazetarëve, analistëve dhe personave që mendojnë ndryshe. Në një postim të gjatë, Muharremi i cilëson këto sulme si sinjale të qarta të panikut dhe të fundin e dominimit politik të kësaj partie.

Sipas tij, LVV po përballet me një trend rënës alarmant, duke humbur afro një përqindje në muaj në matjet Omnibus. Ai paralajmëron se me këtë ritëm dhe në mungesë të reflektimit, partia mund të përfundojë në zonën e 30% të përkrahjes, duke rrezikuar edhe rolin e saj në qeverisje.

“Kur një parti në rënie sulmon gazetarë, analistë e këdo që nuk u shkon për shtati, nuk ka nevojë për analiza të thella – është paniku që po flet, është injoranca që vepron, është fundi që po troket”, shkruan Muharremi.

Ai thekson se LVV, në vend që të ndryshojë qasjen, zgjedh të “hedhë benzinë mbi zjarr” duke sulmuar individë, jo ide, dhe këtë e quan vetëshkatërrim. Muharremi sjell edhe një rast personal kur ishte sulmuar nga zyrtarë të partisë, të cilët vinin në dyshim kredencialet e tij akademike dhe përfshinin aludime të pabaza, përfshirë përmendjen e Serbisë.

Ai thotë se këto janë sulme të ulëta dhe të pabazuara që i kthehen si bumerang Vetëvendosjes, duke dëmtuar besueshmërinë e saj publike. “Po tenton me e ofendu dikënd, po ti përfundon duke e bërë veten jo vetëm kloun, por edhe sinonim të impotencës intelektuale”, shkruan më tej Muharremi.

Sipas tij, këto janë përpjekje për të ndalur fjalën dhe mendimin e lirë, të cilat i quan sulme të grupeve “cyber-kriminale” me mision linçimin e atyre që mendojnë ndryshe. Në fund, ai paralajmëron se me këtë sjellje, LVV jo vetëm që po humb terren politik, por rrezikon të mbetet jashtë qeverisjes në mungesë të një reflektimi të thellë dhe reformimi të brendshëm. /Kosova.info/


Go to TOP