Muharremi: Paret merrini, por votën e dinjitetin mos e shitni
Analisti politik Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si, sipas tij, pushteti po manipulon me qytetarët përmes skemave ekonomike dhe rritjeve të përkohshme të pagave para zgjedhjeve.
Në një postim në rrjete sociale, ai ka thënë se ajo që po ndodh këto ditë është një “skenar klasik”, ku qytetarët fillimisht varfërohen me “dorën e majtë” dhe më pas tentohet blerja e votës së tyre “me dorën e djathtë”.
“Fillimisht rrisin çmimin e energjisë, krijohet inflacion, rriten çmimet, jeta bëhet e papërballueshme. Qytetari varfërohet, sepse 100 euro sot vlejnë vetëm sa 60-65 euro. Ndërkohë, bizneset përballen me presione, prodhimi bie dhe importi rritet duke nxjerrë jashtë vendit qindra milionë euro çdo muaj”, ka shkruar ai.
Sipas Muharremit, kur qytetarët gjenden “me shpinë për muri”, pushteti u rrit pagat dhe shtesat për t’u paraqitur si shpëtimtar, ndërkohë që në realitet “vetëm po ua kthen atë që ua ka marrë vetë”.
“Kjo i bie si me të rreh mirë e mirë, e pastaj me ta jep një gotë ujë që ti me mendu se të shpëtoi”, ka theksuar ai duke shtuar se kjo është “një formulë e ulët për t’ua vjedhur votën qytetarëve më të varfër të Europës”.
Në fund, Muharremi ka apeluar qytetarët që të mos e shesin dinjitetin për përfitime të përkohshme financiare:
“Paret merrini, por votën e dinjitetin mos e shitni.” /Kosova.info/
