Muharremi: LDK po humb dinjitetin, sulmet ndaj mediave nuk i ndryshojnë rezultatet

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj qasjes së fundit të LDK-së pas humbjes zgjedhore duke theksuar se një parti politike duhet të tregojë dinjitet dhe integritet edhe në humbje.

Ai kritikon drejtpërdrejt sulmet ndaj gazetarëve, mediave dhe qytetarëve që, sipas tij, i kanë qëndruar pranë LDK-së me simpati gjatë fushatës dhe madje e kanë votuar atë. Muharremi vlerëson se ky është një gabim i rëndë politik dhe moral.

“Duhet me pas dinjitet edhe në humbje. Qysh more me i sulmu gazetarët, mediat e njerëzit që ju kanë ndihmu më së shumti gjatë fushatës? Ju kanë votu,” shprehet ai.

Sipas Muharremit, rezultatet zgjedhore janë të rënda dhe negative, por ato nuk mund të ndryshohen përmes sulmeve apo fajësimit të mediave, pasi këto rezultate nuk janë prodhuar nga gazetarët.

Ai ngre pyetjen nëse LDK-së i duhen edhe më shumë armiq në këtë gjendje politike ku ndodhet, apo nëse synon të bëhet plotësisht e parëndësishme duke vazhduar rënien në vend që të tregojë pragmatizëm dhe maturi.

Muharremi paralajmëron se rruga aktuale, e cila sipas tij imiton stilin polarizues dhe përçarës të Lëvizjes Vetëvendosje, është e dëmshme dhe e çon partinë pikërisht aty ku vetëm kundërshtarët e saj do të dëshironin ta shihnin.

“Të vjen keq me pa që kemi arritur deri në këtë pikë. Kjo ka qenë krejtësisht e panevojshme dhe mund të ishte shmangur,” përfundon Muharremi. /Kosova.info/


Go to TOP