Muharremi: LDK pa unitet të plotë rrezikon të humbasë momentumin para zgjedhjeve
Analisti politik Shenoll Muharremi ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit brenda Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) duke ngritur shqetësime për paqëndrueshmëri të brendshme dhe mungesë konsolidimi.
Ai përmendi si çështje shqetësuese përhapjen e thashethemeve për dorëheqjen e Gazmend Muhaxheri, të cilat ky i fundit i ka mohuar publikisht, por që sipas Muharremit kanë qarkulluar gjerësisht. Në të njëjtën kohë, ai thekson zhvillimet në Prishtinë, ku kryetari Përparim Rama raportohet se po largon nga drejtoritë persona të afërt me kryetarin e partisë.
Muharremi gjithashtu përmendi deklaratat e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për bashkim, si dhe paralajmërimet për një bashkëpunim të mundshëm elektoral me Vjosa Osmani.
“Ndërsa Vjosa Osmani i ka borxh Kosovës dhe LDK-së me i kthy votuesit që i ka çuar në LVV vitet e fundit. Nga kjo përfitojnë të gjithë, përfshirë Kosovën”, tha ai.
Sipas tij, bashkimi nuk mund të jetë selektiv, por duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i konsultuar për të qenë i qëndrueshëm dhe efektiv. Ai paralajmëroi se dështimet e LDK-së në të kaluarën kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e Lëvizja Vetëvendosje dhe liderit të saj, Albin Kurti.
Muharremi vlerëson se aktualisht ekziston një momentum për LDK-në, por thekson se ai mund të humbasë nëse nuk menaxhohen me kujdes proceset e brendshme. Sipas tij, mungesa e konsolidimit brenda partisë mund të ndikojë negativisht jo vetëm në rezultatet zgjedhore, por edhe në zhvillimet politike në nivel vendi.
Në fund, ai paralajmëron se pa unitet të plotë, potenciali për ndryshime pozitive pas zgjedhjeve të 7 qershorit mund të dështojë. /Kosova.info/
