Muharremi: Kurti po dështon jo nga mungesa e votave, por nga mungesa e bashkëpunimit – rrezikon të shndërrohet në diktator
Analisti politik Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti po e keqpërdorin paranë publike për përfitime elektorale. Ai ka theksuar se kjo që po ndodh ditëve të fundit është për keqardhje, sidomos nga një parti që për vite të tëra ka avokuar kundër abuzimeve me paranë publike.
“Albini dhe LVV nuk duhet të vazhdojnë të qorroditen edhe më shumë duke keqpërdorur paranë dhe pasurinë publike për të blerë vota për partinë e vet. Ky është një model i keq dhe as studentët e as askush tjetër nuk duhet të mësohen me metoda korruptive për me i arritë qëllimet e veta,” ka deklaruar Muharremi.
Sipas tij, Kurti dhe partia e tij nuk kanë mungesë votash, por mungesë bashkëpunimi e pjekurie politike. “Në zgjedhjet e 9 shkurtit LVV ka marrë rreth 400 mijë vota, por i ka keqpërdorur të gjitha ato. Në vend që t’i përdorë për ta çuar Kosovën përpara, i ka djegur me izolim e arrogancë politike,” ka shtuar ai.
Muharremi theksoi se mbështetja për Vetëvendosjen është në rënie të vazhdueshme. “Nga 51% ka rënë në 42%, pastaj në 40% e 37%. Nëse trendi ka vazhduar, sot LVV mund të jetë në rreth 33%-34%. Kjo është një rënie e natyrshme drejt normalizimit të saj politik,” tha ai.
Ai paralajmëroi se përqendrimi i pushtetit në një dorë e ka dëmtuar vetë Kurtin. “Pushteti i tepërt vetëm e ka bërë më të keq Kurtin, jo më të mirë. Me një mandat tjetër absolut, ai mund të bëhet edhe diktator – dhe kjo nuk duhet, as nuk do të ndodhë,” deklaroi Muharremi.
Në fund, ai i bëri thirrje kryeministrit dhe partisë në pushtet të ndalojnë praktikat korruptive dhe të fokusohen në bashkëpunim e kompromis politik. “LVV dhe Kurti duhet t’i kthehen partneriteteve që u nevojiten për të ndërtuar shumicën e duhur parlamentare. Nuk e di nëse tashmë është vonë,” përfundoi ai. /Kosova.info/
