Muharremi: Kurti bën kompromise me ndërkombëtarët, por tregohet i ashpër me popullin e Kuvendin

Analisti Shenoll Muharremi ka ngritur pikëpyetje serioze lidhur me mënyrën se si liderët ndërkombëtarë po i qasen kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Ai ka përmendur disa raste kur zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe BE-së nuk kanë zhvilluar takime në zyrën e kryeministrit, por në ambiente të tjera joformale.

Muharremi përmendi se së fundmi edhe zyrtari i lartë i Pentagonit, David Baker, nuk e ka takuar Kurtin në zyrë, edhe pse ishte pranë Presidencës dhe në afërsi të objektit qeveritar. Ai kujtoi gjithashtu se edhe kur Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, e vizitoi Kosovën, takimi me Kurtin u zhvillua në një lokal, jo në zyrën zyrtare të Kryeministrisë.

“Po bëhet e qartë që ka një pozicion në nivelet më të larta të SHBA-së e BE-së që duket se nuk i shkojnë në zyre Kurtit. Nëse e kam harru ndonjë rast dhe po gaboj, më thuani?”, shkroi ai.

Sipas Muharremit, kjo situatë nuk është aspak për t’u injoruar, pasi, sipas tij, tregon për një krizë të thellë politike në vend dhe një nivel të ulët të respektit institucional që i jepet pozitës së kryeministrit.

Ai po ashtu thekson një kontrast të theksuar në sjelljen e Kurtit ndaj ndërkombëtarëve dhe qytetarëve të vet: “Kurti me ta, të huajt, po bën kompromise. Edhe pse nuk po i shkojnë në zyre, e në një rast BE e ka pas quajt ‘kryeministër në largim’, ky nuk po mban inate, po ju shkon vetë nëpër kafe e restorane vetëm që me i taku e mos me u duk keq.”

Ndërsa për brenda vendit, sipas tij, Kurti vepron me standard tjetër: “Me të huajt e të fortit e tu ba kompromise, me buzëqeshje… e me neve, me popullin, me Kuvendin e me partitë tjera në Kosovë i ashpër, i pakompromis, kokëfort e me inate.”

Muharremi thotë se kjo sjellje tregon për standarde të dyfishta dhe thekson se Kurti po merr vendime edhe pse është në detyrë, çka e konsideron si shqetësim për demokracinë dhe funksionimin institucional të vendit. /Kosova.info/


Go to TOP