Muharremi: Komoditeti politik mund të kthehet në kurth për LDK-në

Analisti Shenoll Muharremi ka ngritur shqetësimin se qasja e tanishme e LDK-së për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe për të ndjekur një kalendar të ngadaltë zgjedhor – fillimisht lokale, pastaj nacionale – mund të jetë një strategji që rrezikon të kthehet në stagnim politik për këtë subjekt.

Sipas Muharremit, qëndrimi neutral dhe komod i LDK-së ndaj krizës aktuale politike mund të jetë një “thikë me dy tehe”, sidomos nëse në skenë rikthehet politikisht Presidentja Vjosa Osmani. Ai thekson se një rikthim i tillë ka gjasa të ndikojë drejtpërdrejt tek elektorati i LDK-së dhe i VV-së duke sfiduar trendin e rritjes që LDK manifestoi në zgjedhjet e fundit.

Nëse LDK eventualisht do të humbiste edhe Prishtinën, Muharremi paralajmëron se kjo mund të çonte në një tkurrje të moderuar nga niveli i arritur më 9 shkurt duke e lënë partinë si të tretën në renditje, larg pretendimeve për të dalë e para.

“LDK nuk ka as kohë, e as lluks me qenë kaq neutrale dhe komode me gjendjen aktuale,” thekson ai duke sugjeruar që partia duhet të marrë rreziqe të kalkuluara dhe të pozicionohet më qartë në skenën politike.

Muharremi shpreh habi pse LDK refuzoi të drejtojë Qeverinë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, një mundësi që, sipas tij, do ta kishte shndërruar në fituesen më të madhe dhe do t’i siguronte veglat për konsolidim dhe rritje nga pozita e pushtetit.

Në fund, ai thotë se përballë rreziqeve të stagnimit, janë të domosdoshme veprime të mëdha dhe të pazakonta. Vetëm në këtë mënyrë LDK mund të mbajë pritjet që vetë i ka krijuar dhe të ndërtojë një platformë të qëndrueshme drejt zgjedhjeve të ardhshme. /Kosova.info/


Go to TOP