Muharremi godet Kurtin: Po shitet e ardhmja e Kosovës për disa vota më shumë
Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili pak ditë para zgjedhjeve u rikthye te tema e pagës minimale. Ai thotë se qeveria është dashur fillimisht të bisedojë me bizneset, sepse vendime të tilla prekin drejtpërdrejt punëtorët dhe funksionimin e tyre.
Në një shkrim në Facebook, Muharremi e quan veprimin e qeverisë të njëanshëm dhe të motivuar politikisht. Sipas tij, lëvizje të tilla vetëm sa krijojnë rrezik për ekonominë.
Ai përdor ironi duke thënë se “më pas le të digjet ekonomia e bizneset le të mbyllen”, duke theksuar se rritja e pagës minimale pa analizë të ndikimit është vendim i nxituar.
Muharremi shton se ngritja në 500 euro për sektorin privat mund t’i rrisë kostot e operimit për bizneset, gjë që përfundimisht ndikon te qytetari përmes çmimeve më të larta. Ai kujton edhe rastin me energjinë, duke thënë se qeveria ka dështuar të krijojë kapacitete dhe ka rritur importin, duke e rënduar edhe më shumë ekonominë.
Sipas tij, kjo masë do të krijojë një cikël që ul fuqinë blerëse dhe dobëson konkurrencën e bizneseve vendore, ndërsa importi vazhdon të rritet.
Në fund, analisti thotë se vendimi është i karakterit elektoral dhe se po merret pa asnjë vlerësim profesional, në një kohë kur bizneset janë nën presion nga kostoja e energjisë dhe konkurrenca e importit. Ai paralajmëron se politika mund të përfitojë, por bizneset dhe ekonomia vendore do ta vuajnë, ndërsa edhe migrimi i të rinjve pritet të rritet.
