Haziri: Të mos merremi me deklaratat e zyrtarëve serbë, por me dialogun e brendshëm dhe forcimin e Kosovës

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunovic për “spastrimin e Kosovës” duke e cilësuar atë si një dëshirë të parealizuar të politikës serbe.

Haziri rikujtoi se gjatë luftës në Kosovë, regjimi i Sllobodan Millosheviqit kishte ndërmarrë operacionin e njohur si “Patkoi”, me synim spastrimin etnik të Kosovës, por, sipas tij, ai dështoi. Ai shtoi se deklarata të tilla, 27 vjet pas përfundimit të luftës, nuk ndryshojnë realitetin.

“Sa për rikujtim, kjo është hera e pestë në 120 vjet që serbët kanë dështuar në spastrimin etnik të Kosovës”, u shpreh Haziri.

Ai u bëri thirrje institucioneve dhe spektrit politik në Kosovë që të mos fokusohen te deklaratat e zyrtarëve serbë, por të forcojnë bashkëpunimin dhe dialogun e brendshëm për të nxitur procese të reja dhe për të realizuar, siç tha ai, ëndrrën e bashkimit të shqiptarëve.

Sipas Hazirit, Republika e Kosovës është një projekt i përhershëm që bashkon shqiptarët dhe shërben si urë pajtimi mes popujve të Ballkanit. /Kosova.info/


Go to TOP