Muharremi: Arrestimi i gazetarëve nga Garda e Presidentes është i papranueshëm

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të gazetarëve nga Garda e Presidentes duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe zhgënjyes për një shoqëri që ka vuajtur nga pushtetet diktatoriale në të kaluarën.

“Është tepër zhgënjyese me pa Gardën e Presidentes duke arrestu gazetarë në rrugë. Kjo nuk do të duhej të ndodhte kurrë në një shoqëri të re, me një lidership relativisht të ri në moshë, e që ka vuajtë aq shumë nga dhuna e pushteteve diktatoriale,” u shpreh Muharremi.

Ai theksoi se ky veprim sjell jo vetëm emocione negative, por edhe kujton praktikat e përsëritura të eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët sipas tij kanë sulmuar vazhdimisht gazetarët, mendimin e lirë e të pavarur, si dhe institucionet e drejtësisë dhe ekonomisë.

“Presidentja kurrë nuk do të duhej të ishte pjesë e një skeme të tillë. Përkundrazi, do të duhej të ishte në krye të luftës për lirinë e mediave dhe të gazetarëve, sidomos në një periudhë kur po shohim përshkallëzim të kufizimit të lirive në vend,” shtoi ai.

Muharremi theksoi gjithashtu se në pozitat më të larta publike duhet vetëdije e plotë për përgjegjësinë ndaj qytetarëve dhe transparencën, pasi në pyetje janë infrastruktura e shtetit dhe pasuria publike që mbahet me taksat e tyre. /Kosova.info/


Go to TOP