Imam Maliqi kërkon nga KEDS ta ndryshojë orarin e reduktimeve: Po na dështojnë ligjëratat në xhami

Reduktimet me energji elektrike janë duke krijuar problem edhe tek xhamitë.

Kjo, pasi nga ndalja e rrymës po iu dështojnë ligjërimet në xhami.

Për këtë, imami Labinot Maliqi, nga Xhamia e Lagjes së Spitalit, ka kërkuar nga KEDS që ta ndryshojë orarin e reduktimeve që gjatë kohës së lutjeve.

“Kërkoj nga KEDS-i dhe ZRRE, që ta ndryshojnë orarin e reduktimeve veçmas në ditën e premte, dhe t’i kenë në konsideratë besimtarët mysliman të cilët e falin namazin e xhumasë. Në mënyrë që gjatë kohës së lutjeve të ketë rrymë në të gjitha xhamitë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Maliqi.

Ai shtoi se kjo kërkesë është e realizueshme nga KEDS-i dhe ZRRE-ja.

“Kjo që po kërkoj është e mundur të bëhet nga ana e KEDS-it dhe ZRRE-së. Andaj, që të mos gjykojmë se po e ndalin qëllimisht për të na i bërë të dështojnë lutjet e ligjëratat tona, kërkoj që në të ardhmen të mos përsëritet ndërprerja e energjisë elektrike në kohën e xhumasë, siç ndodhi sot”, shkroi Maliqi në llogarinë e tij në Facebook.

Ndryshe, lidhur më gjendjen e krijuar në sistemin energjetik, Komiteti teknik emergjent, pas dy takimesh gjatë së mërkurës, i ka rekomanduar KEK-ut që të sigurojë energjinë e nevojshme për t`i evituar reduktimet për konsumatorët dhe devijimet në rrjetin energjetik.

Sipas tyre, kjo masë rekomandohet me qëllim të tejkalimit të situatës me furnizim me rrymë, që do të zgjasë deri më 25 gusht.

Ndërkaq, qytetarët në anën tjetër kanë paralajmëruar edhe protestë kundër reduktimeve dhe shtrenjtimit të rrymës.

Go to TOP