Murati mburret me “të arriturat” e Qeverisë: Pagesat nga buxheti, më të lartat ndonjëherë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas deklaratave të përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se pagesat nga buxheti i shtetit për periudhën e parë 6-mujore të këtij viti, janë 1 miliardë e 38 milionë euro, më e larta ndonjëherë.
Murati ka shkruar në Facebook se me taksat që mbledh dhe rishpërndan, shteti është një kontribues i rëndësishëm në ekonominë e vendit.

“Pagesat që shteti bën, qoftë në formë të pagave, pensioneve, mallrave që blen, apo edhe investimeve kapitale, që të gjitha kontribuojnë në ekonominë e vendit. Ditëve të fundit, nga opozita por edhe nga disa media, kemi parë një fushatë agresive e cila pretendon se qeveria ka bllokuar ekonominë, sepse nuk po shpenzon. Mirëpo, të dhënat, nga po ai raport të cilit i referohet opozita, tregojnë të kundërtën. Nga grafiku më poshtë, mund të shihet se periudha 6-mujore e parë e vitit 2022, për sa i përket shpenzimit është më e lartë se të gjitha vitet paraprake, madje edhe më e lartë se viti 2021, kur kishte edhe zgjedhje. Pra, argumenti se qeveria nuk po e mbështetë ekonominë e vendit, nuk qëndron aspak, sepse siç edhe mund të shihet nga grafiku, shpenzimet dhe pagesat nga buxheti i shtetit janë më të lartat ndonjëherë. Po, për opozitën ndoshta edhe nuk konsiderohet zhvillim ekonomik kur një nënë me shtesat që merr për fëmijët blen qumësht nga fermeri i fshatit, sepse opozita më me dëshirë ato para do t’ia jepte një kompanie në emër të punëve shtesë pa asnjë procedurë a bazë ligjore, dhe atë shpenzim do t’a quante investim kapital e zhvillim ekonomik. Për opozitën ndoshta mbështetja për subvencionimin e kredive investuese për prodhuesit vendorë nuk është zhvillim ekonomik, sepse në buxhet kjo mbështetje figuron si shpenzim tek kategoria Subvencione e Transfere, e jo si Shpenzim Kapital. Dhe këtë opozita e quan skemë sociale. Sepse për opozitën, zhvillim ekonomik është vetëm atëherë kur paratë e taksapaguesve ua jep supermarketeve”, ka shkruar ai.

Ai ka shkruar se për opozitën as rritja e subvencioneve për bujqit nuk është mbështetje e ekonomisë, sepse po të pyetej opozita, më mirë është të jepen 12 milionë euro për një tender të vetëm për konsulencë, sesa të mbështeten bujqit për sigurimin e bukës së vendit.

“Në këtë pikëpamje është e qartë se kemi dallime. Por kjo gjë tashmë është përcaktuar me 14 shkurt 2021. Qytetarët kanë zgjedhur modelin zhvillimor që kemi premtuar ne, dhe atë po e realizojmë. Po, edhe investimet kapitale do të bëhen. Njësoj sikur u bë vaksinimi, për të cilin thanë se nuk do të bëhej kurrë. Njësoj sikur u bënë shtesat për fëmijë e për nënat lehona, për të cilat thanë se nuk keni buxhet. Njësoj sikur po forcohet ushtria për të cilën thanë se nuk e ka të lejuar të blejë armatim. Njësoj sikur që do të bëhen të gjitha ato që kemi premtuar. Vetëm duhet kohë e durim”, ka shkruar ai.

Go to TOP