Mjeku: Qytetarët ujin ta shpenzojnë racionalisht

Sot është Dita Botërore e Ujit. Për rëndësinë e kësaj dite dhe rreth aktiviteteve që do të shënojë KRU “Prishtina” sot, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” të Radio Televizionit të Kosovës është paraqitur Arjeta Mjeku, zëdhënëse në KRU “Prishtina”.

Ajo tha se shënimi më i mirë i kësaj dite është të bartim mesazh për ujin e pijshëm te fëmijët, te gjeneratat e reja dhe kudo tjetër.

Më tutje ajo shtoi se në këtë ditë do të realizojnë disa aktivitete me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta të Prishtinës, por edhe në të gjitha komunat që janë në menaxhim të KRU “Prishtina”.

Po sot në shkollat e Prishtinës një orë mësimore do të mbahet lidhur me rëndësinë e ujit të pijshëm dhe për mbrojtjen e burimeve të ujit dhe kursimin e ujit të pijshëm.

“Uji duhet shpenzuar racionalisht jo vetëm në stinën e pranverës dhe verës, por edhe në stinët e tjera. Uji nuk kursehet vetëm në natyrë. Uji mund të kursehet edhe nëpër shtëpi dhe banesa. Rëndësi e veçantë këtë vit do t’i kushtohet reduktimit të ujit teknik dhe komercial përmes aktiviteteve, aksioneve, veprimeve konkrete. Kam një apel për të gjithë qytetarët që janë në zonën e shërbimit tonë, që ujin ta shpenzojnë racionalisht, në mënyrë që rezervat e ujit t’i kemi për periudhat e ardhshme. Ua kujtoj se mbi 1.1 miliard njerëz vuajnë në botë për mungesë të ujit të pijshëm” theksoi Mjeku.

Go to TOP